Kuvendi i Kosovës mban sot, të hënën, më 5 tetor, seancë plenare në orën 09:00, ku pika e parë e rendit të ditës është shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Para seancës, në orën 08:00, Komisioni për Legjislacion do ta shqyrtojë projektligjin, me fokus në aspektet juridike dhe përputhshmërinë e tij me Kushtetutën, legjislacionin në fuqi dhe procedurat e Kuvendit.
Nisma për ndryshimin e këtij ligji është dorëzuar nga PDK-ja më 21 shtator, pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Projektligji parasheh, ndër të tjera, ndryshime në juridiksionin e Dhomave të Specializuara, mundësinë e shqyrtimit të rasteve në Kosovë, ankesë në Gjykatën Supreme, kufizim të dënimit maksimal në 15 vjet, vuajtjen e dënimeve në Kosovë dhe mundësinë e faljes presidenciale.
Qeveria e Kosovës ka dhënë më herët mendim se nuk ka pengesa ligjore për procedimin e projektligjit.
Seanca e sotme zhvillohet në prag të përfundimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit, i cili përfundon më 6 tetor. PDK-ja ka deklaruar se është e gatshme të diskutojë dhe të japë votat për presidentin pas miratimit të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
