Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, ka shpallur zgjedhje të parakohshme parlamentare më 29 nëntor, pas rrëzimit në parlament të masave të qeverisë për të trajtuar krizën e banesave.
Vendimi erdhi disa ditë pasi parlamenti spanjoll votoi kundër dy masave emergjente për mbrojtjen e qiramarrësve, të cilat synonin, ndër të tjera, të kufizonin dëbimet dhe të rrisnin mbrojtjen për familjet në vështirësi.
Kriza e banesave ka shkaktuar protesta në qytete të ndryshme të Spanjës. Protestat u nxitën veçanërisht nga rasti i një gruaje 87-vjeçare, Maricarmen Abascal, e cila u dëbua nga banesa në Madrid ku kishte jetuar për rreth 70 vjet, pasi qiraja iu rrit ndjeshëm.
Sipas raportimeve, qiraja e saj u rrit nga rreth 500 euro në 2,650 euro në muaj, ndërsa më pas u ul në 1,650 euro – shumë më tepër se pensioni i saj mujor.
Dhjetëra mijëra njerëz protestuan gjatë fundjavës në Madrid dhe qytete të tjera, duke kërkuar masa për ta bërë strehimin më të përballueshëm, raporton BBC.
Sánchez, i cili është kryeministër që nga viti 2018, tha se zgjedhjet do të mbahen më 29 nëntor. Zgjedhjet e rregullta parlamentare pritej të mbaheshin në vitin 2027.