Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar në Kuvendin e Kosovës se ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara është duke u bërë me nguti dhe pa kohë të mjaftueshme për analizë.
Kurti ka thënë se ende nuk është publikuar aktgjykimi në formën e tij të plotë dhe se, sipas tij, para se të ndërmerren hapa për ndryshimin e ligjit duhet të bëhet një analizë më e thellë juridike.
“Ne konsiderojmë se këto lëvizje për ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale janë të ngutshme dhe nuk janë analizuar e menduar sa duhet”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje e ka kundërshtuar themelimin e Speciales që nga fillimi, ndërsa tani po e mbështet nismën për ndryshimin e ligjit, duke theksuar se këtë e bën edhe për shkak të mbështetjes së saj nga ekipet mbrojtëse.
Kurti ka theksuar se rruga për të kundërshtuar aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së është procesi i apelit.
“Adresa e fitores është apeli”, ka theksuar Kurti.