Asamblisti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), në Kuvendin Komunal të Obiliqit, Labinot Mirena, ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha strukturat e kësaj partie.
Mirena ka bërë të ditur se mandatin e tij në Kuvendin Komunal të Obiliqit do ta vazhdojë si asambleist i pavarur.
Në njoftimin e tij, ai ka thënë se vendimi vjen si pasojë e mospajtimit me qëndrimin e LDK-së ndaj krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
“Ky vendim shpreh mospajtimin tim të thellë me qëndrimin e LDK-së ndaj krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë. Për mua, kjo nuk është vetëm çështje politike apo partiake, por çështje parimesh dhe bindjesh personale, mbi të cilat nuk mund të bëj kompromis”, ka shkruar Mirena.
Ai ka theksuar se qëndrimi i LDK-së për këtë çështje bie ndesh me vlerat dhe bindjet që, sipas tij, i ka përfaqësuar dhe vazhdon t’i përfaqësojë.
“Prandaj, nga sot mandatin tim në Kuvendin Komunal të Obiliqit do ta vazhdoj si asambleist i pavarur, me qëndrime të qarta dhe me përgjegjësi para qytetarëve të Obiliqit që më kanë dhënë besimin për t’i përfaqësuar”, ka deklaruar ai.