Murati: Nëse Hamza thotë “po”, Kurti e Abdixhiku mund ta bindin Sejdiun të rikthehet në garë

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se ekziston mundësia që Bekim Sejdiu të rikthehet në garën për president, nëse kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, pranon ofertën e kryeministrit Albin Kurti për votimin e Projektligjit për Dhomat e Specializuara.

Murati ka reaguar pasi Sejdiu ka deklaruar për “Infokus” se e ka njoftuar sërish Kurtin dhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, për tërheqjen e tij nga gara për president. Sejdiu ka bërë të ditur gjithashtu se aktualisht nuk ndodhet në Kosovë.

Deklarata e tij erdhi pas konferencës së Kurtit, i cili kërkoi nga PDK-ja mbështetjen e të paktën gjysmës së grupit parlamentar për Sejdiun, ndërsa u zotua se VV-ja do ta mbështesë në lexim të dytë Projektligjin për Dhomat e Specializuara.

Murati ka kritikuar mediat për raportimin e tërheqjes së Sejdiut, duke thënë se fillimisht duhet të merret përgjigjja e Hamzës për ofertën e Kurtit.

“Disa medie u nxituan që ta rikonfirmojnë tërheqjen e Prof. Bekim Sejdiut për President të Republikës në vend se ta marrin përgjigjen nga kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, për ofertën e re të Kryeministrit Kurti: edhe me vetëm gjysmën e grupit parlamentar të PDK-së që e votojnë qoftë edhe kundër Bekim Sejdiun për President, ne i japim votat tona për Projektligjin mbi Gjykatën Speciale në lexim të dytë! Të dashur gazetarë, pyeteni së pari Hamzën. Le të thotë Bedri Hamza PO, dhe sigurisht që me Prof. Bekim Sejdiun mund të shkojnë e flasin Kurti e Abdixhiku për ta bindur që të mos shkojë vendi në zgjedhje të reja”, ka shkruar Murati.

Sejdiu ishte propozuar si kandidat i përbashkët i VV-së dhe LDK-së për president, por u tërhoq nga gara pasi gjashtë deputetë të LDK-së nuk i garantuan mbështetjen e tyre.

Sipas Muratit, nëse Hamza pranon ofertën, Kurti dhe Abdixhiku mund të tentojnë ta bindin Sejdiun që të rikthehet në garë, duke shmangur kështu mundësinë e shkuarjes së vendit në zgjedhje të reja.

Bekim Sejdiu: I kam njoftuar sërish LDK-në dhe Kurtin, jam tërhequr nga gara

Të fundit nga rubrika