Hamza: Qëndrimi i PDK-së mbetet i njëjtë, Sejdiu nuk është marrëveshje me ne

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka deklaruar se qëndrimi i kësaj partie për miratimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara në dy lexime mbetet i pandryshuar dhe nuk lidhet me asnjë pozitë politike apo institucionale.

Hamza, në një konferencë për media, u shpreh se këto dy çështje duhet të trajtohen ndaras, ndërsa ka kritikuar mungesën e veprimeve konkrete për zgjedhjen e kreut të shtetit.

Ai ka përmendur 7 gushtin si datën kur, sipas tij, Kuvendi është dashur të jetë i konstituuar, duke theksuar se prej atëherë nuk ka pasur veprime konkrete për zgjedhjen e presidentit.

“Qëndrimi i Partisë Demokratike të Kosovës ka qenë dhe vazhdon të jetë konsistent: aprovimi i ligjit për dhomat e specializuara në 2 lexime. Nuk janë çështje të ndërlidhura me asnjë pozitë politike apo institucionale. Ka qenë si duhet. Çështja e presidentit: një çështje e cila e përcjell Kosovën me një periudhë të gjatë kohore. Ju e dini që, që kur vendi i Kosovës, edhe në bazë të aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, është dashur që të jetë i konstituuar me datën 7 gusht. Kemi vonesa, mosrespektim të afateve kushtetuese për Kuvendin e Kosovës, për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, si rezultat i deklaratave e veprimeve që, pa marrëveshje për presidentin, nuk e konstituojmë Kuvendin. Asnjë veprim. Konkret, serioz, për një periudhë prej datës 7 gusht deri sot, deri orët e fundit për me i dhënë vendi presidentit”, u shpreh Hamza.

Hamza është deklaruar edhe për deklaratën politike për luftën e UÇK-së, e cila është mbështetur nga deputetë të Kuvendit teksa theksoi se mbrojtja e luftës së UÇK-së nuk është çështje që i takon vetëm PDK-së.

“Deklarata politike: unë i jam mirënjohës, i falënderoj gjithë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës që kanë votuar pro deklaratës. Për të qartësuar: lufta e popullit të Kosovës e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk është luftë e cila është veç e PDK-së. Askund në deklaratë nuk shkruan për PDK-në. Unë konsideroj që nuk duhet që veç Partia Demokratike e Kosovës me fol për mbrojtjen e një lufte të drejtë të imponuar çlirimtare për liri dhe pavarësi. Duhet edhe partitë tjera politike, viktimat, dëshmorët, viktimat civile, invalidët e luftës, veteranët, populli i Kosovës, nuk i takon veç një subjekti politik, i takon të gjitha subjekteve politike”, tha ai.

Sipas tij, PDK-ja e ka sponsorizuar deklaratën në kuadër të përgjegjësisë së saj politike, ndërsa ka mohuar se ajo është bërë për përfitime politike.

“Dhe për këtë çështje, ne kemi konsideruar si parti politike që duhet të jemi në nivelin e përgjegjësisë tonë dhe kemi sponsorizuar një deklaratë të cilën e kanë mbështetur edhe deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, për çka jemi mirënjohës, por nuk është deklaratë që PDK-ja e ka për ndonjëfarë përfitimi politik”, tha ai.

Hamza ka folur edhe për pasojat e mundshme në rast se ligji nuk miratohet përfundimisht në dy lexime.

“Nëse ligji nuk aprovohet në dy leximet nuk prodhon efekt juridik. Po që nëse nuk finalizohet ligji dhe vendi shkon në zgjedhje ai kthehet nga fillimi”, tha Hamza.

Hamza, mes tjerash, u shpreh se nuk ka ndonjë problem me emrin e Bekim Sejdiut si kandidat për president, mirëpo tha se ajo ishte marrëveshje e Lëvizjes Vetëvendosje me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe jo me PDK-në.

“Nuk është marrëveshje me PDK-në, është marrëveshje me një subjekt tjetër politik, por është marrëveshje me LDK-në. As nuk kanë vërejtje personale, e as politike në raport me Sejdiun. Po, është marrëveshje jashtë tavoline me PDK-në. Nëse keni marrëveshje me LDK-në, bëjeni. Po t’i kërkoj 10 deputetë, 11 atëherë; edhe unë po t’i kërkoj ty 29. Po deputetët sillni në sallë dhe qyshdo le të votojnë. Nëse doni ta bëni ligjin, sillni 29 deputetët. Nëse duan, le të votojnë pro, kundër apo të abstenojnë, qysh të duan. 37 ditë e ka shkelur Kushtetutën për moskonstituimin e Kuvendit. Më 21 shtator ne e kemi sjellë ligjin në Kuvend dhe sot, në orët e fundit, nuk mundesh me imponu marrëveshjen. Nuk janë çështje të ndërlidhura. Ne po kërkojmë me e bërë ligjin”, tha ai.

Të fundit nga rubrika