Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli, ka thënë se ende nuk ka njoftim për mbajtjen e seancës për zgjedhjen e presidentit, ndërsa ka deklaruar se oferta e bërë nga kryeministri Albin Kurti ndaj PDK-së synon të shmangë zgjedhjet e reja.
Kërçeli, në “FIVE” në Dukagjin, ka theksuar se nga konferenca e Kurtit është bërë një ofertë që, sipas tij, paraqet mundësinë e fundit për tejkalimin e krizës institucionale.
“Për seancë për president ende nuk kemi ndonjë njoftim por ne kishim një mbledhje të Grupit Parlamentar dhe për atë arsye gjendem në ambientet e Kuvendit të Kosovës. Pak a shumë ishin ato dakordime që janë diskutuar në kryesi dhe Grup Parlamentar të VV-së. Nga konferenca e kryeministrit ishte edhe një ofertë përfundimtare se si të dalim nga kjo krizë institucionale dhe si të shpëtojmë nga një palë zgjedhje të reja të panevojshme për qytetarët e Republikës së Kosovës”, u shpreh Kërçeli.
Duke komentuar qëndrimin e PDK-së për pjesëmarrjen në seancën për presidentin, Kërçeli ka thënë se nëse deputetët e kësaj partie nuk qëndrojnë në sallë, atëherë vendi do të shkojë në zgjedhje.
Sa i përket Ligjit për Dhomat e Specializuara, deputeti i VV-së ka mbrojtur qëndrimin e partisë së tij për procedurën e miratimit në dy lexime, duke iu referuar edhe një vendimi të Gjykatës Kushtetuese pas një rasti të vitit 2024.
Kërçeli ka thënë se nuk sheh ndonjë dallim nëse votimi i dytë i ligjit bëhet të enjten, duke argumentuar se deri atëherë nuk pritet të ndryshojë gjendja e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Tutje, ai ka thënë se votimi në lexim të dytë pa kaluar 72 orë, sipas tij, do t’i jepte Listës Serbe mundësinë e dërgimit të tij në Gjykatën Kushtetuese.
“Ndërsa sa i përket ligjit për Dhomat e Specializuara dje ishte pika e parë dhe votuam të gjithë për plotësimin ndryshimin e këtij ligji. Mirëpo, duhet ta bëjmë të qartë se ishte pikërisht Partia Demokratike e Kosovës e cila në vitin 2024 në seancën e 5 dhjetorit me ligjet që kaluan në atë datë shkuan në Gjykatën Kushtetuese ku na u bë e qartë se shmangia e procedurave nuk mund të ndodh më herët se 72 orë dhe duhet t’ju jepet kohë deputetëve për të lexuar materialet dhe nëse do të vepronim në bazë të emocioneve dhe ta kalojmë në lexim të dytë do t’i jepnim mundësi Listës Serbe që këtë ligj ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese dhe ta rrëzojë gjithë mundi i deputetëve të shkojë poshtë – nuk e di se ku është dallimi nëse të enjten votohet në lexim të dytë dhe nuk besoj se deri të enjten do të kishte diçka që e ndryshojë gjendjen e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë. Fillimisht do të duhej që deri të enjten të votojmë presidentin e të enjten ta votojmë ligjin në lexim të dytë dhe pastaj Presidenti i ri ta dekretojë”, u shpreh Kërçeli.