Tahiri: Pa miratimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara sonte, s’ka normalitet politik

Ish-ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka deklaruar se Kuvendi i Kosovës është ende në mandatin e tij të rregullt dhe se, sipas tij, ligji për Dhomat e Specializuara mund të miratohet sonte në lexim të dytë.

Tahiri ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për manipulim me afatet kushtetuese dhe me Rregulloren e Kuvendit, duke thënë se nuk ka asnjë pengesë procedurale apo kushtetuese që ligji të votohet.

“Ne kemi një manipulim më herët nga Kryeministri Kurti, duke manipuluar me afatet kushtetuese dhe me rregulloren e Kuvendit. Dhe në këtë rast, me atë kompetencën time si ish-Ministër i Drejtësisë ose si njeri që kam udhëhequr grupin parlamentar dhe i kemi fituar shumë beteja kushtetuese, e them me përgjegjësi të plotë që Kuvendi i Kosovës është në mandatin e saj të plotë, të rregullt edhe në përputhje me Kushtetutën, edhe me rregulloren e Kuvendit, që sonte ta kalojë ligjin për Dhomat e Specializuara në lexim të dytë. Nuk ka të bëjë kjo me shkeljen e rregullores së Kuvendit, nuk ka të bëjë kjo me shkeljen e Kushtetutës, nuk ka të bëjë kjo me shkeljen e ligjeve. Pra, jemi në kohën e duhur kur ligji mund të miratohet që sonte, ka mundur të miratohet edhe dje, pra për Dhomat e Specializuara”, ka thënë Tahiri.

Ai ka thënë se sheh mungesë vullneti nga Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje për miratimin e këtij ligji, ndërsa ka paralajmëruar se presioni qytetar do të vazhdojë edhe nëse vendi shkon në zgjedhje.

“Unë e shoh një mungesë vullneti nga Kryeministri Kurti, e shoh një mungesë vullneti nga Lëvizja Vetëvendosje dhe, në anën tjetër, ju e shihni se sa më shumë po rritet presioni i qytetarëve të Republikës së Kosovës. Mos të mendojë askush që ky presion do të ndalet sonte në orën 12:00, kur Kryeministri Kurti ka vendosur ta çojë vendin në zgjedhje dhe do të mendojë që do të shfryhet kjo kauzë. Kjo veç se do të rritet, angazhimi ynë veç se do të rritet. Nuk do të ketë normalitet në këtë vend dhe nuk do të ketë qetësi politike dhe nuk do të ketë fushatë elektorale normale në rast se ky ligj nuk do të kalojë sonte”, ka deklaruar ai.

Tahiri ka thënë se nuk mund të ketë, sipas tij, një ballafaqim normal politik me Kurtin nëse ligji nuk miratohet, duke e lidhur këtë çështje me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

“Pra, nuk mundet me pa asnjë ballafaqim normal politik me një kryeministër të tillë, nëse në thelb e cënon shtetësinë tonë, pra e cënon gurthemelin e shtetësisë së Kosovës, e që është vlera më e lartë e këtij vendi, që është Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Pra, nuk mund të pranojmë një dënim, një akt, një aktgjykim të tillë çfarë e kemi parë më datën 16 shtator dhe rrjedhimisht ne jemi duke i marrë të gjitha masat si qytetarë në radhë të parë, pastaj si politikanë, në mënyrë që ta sanojmë këtë dëm. Pra, mos të mendojë askush që do të ketë normalitet dhe dikush do të bëjë fushatë të qetë elektorale në rast se ky ligj nuk do të kalojë sonte”, ka thënë Tahiri.

Më tej, ish-ministri i Drejtësisë ka akuzuar Kurtin se ka qenë vazhdimisht kundër vlerave të UÇK-së.

“Kryeministri Kurti, fatkeqësisht, është në agjendën e tij, ku ka qenë tash e që nga fillimi i angazhimit të tij politik. Kryeministri Kurti gjithmonë ka qenë kundër këtyre vlerave, Kryeministri Kurti gjithmonë i ka goditur ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare, ju i keni parë gjithmonë duke i goditur komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ju e dini edhe prononcimet e tij të mëhershme, ‘shko Hashim’, ku i kërkon Presidentit Thaçi për me shku në Hagë, dorëzohet paraprakisht.

Pra, kjo është në agjendën e tij. Ne normalisht që është e rrugës që të kërkojmë bashkëpunim, që së bashku me të ta kalojmë. Mirëpo, siç po duket, do të jetë e kotë. Na kanë mbetur edhe pesë orë, besoj, ndoshta edhe gjashtë orë deri kur do të kalojë kjo kohë. Mirëpo, atëherë do të fillojë një fazë e re. Nuk do të ketë normalitet për Kryeministrin Kurti dhe për njerëzit e tillë, sepse këtë po e sjellin këtë gjendje”, ka deklaruar Tahiri.

Tahiri është deklaruar edhe për protestën e mbrëmshme dhe për përplasjet mes protestuesve dhe Policisë së Kosovës, duke thënë se është i papranueshëm trajtimi i protestuesve.

“Është e papranueshme. Unë kam qenë pjesë e atyre protestave, kam qenë në shesh. Dhe nuk e kam imagjinuar që do të përballemi, do të ballafaqohemi me një dhunë të tillë. Nuk e kam menduar që do të përfundojnë të gjithë ata qytetarë në emergjencë, në Qendrën Klinike Universitare, duke kërkuar ndihmë mjekësore. Pra, ka pasur shumë prej tyre që kanë pasur qepje në pjesë të ndryshme të kokës, në trup, për shkak të lëndimeve të rënda që kanë marrë nga shkopinjtë e Policisë së Kosovës.

Pastaj ju keni qenë prezent dhe ju e keni parë masën e madhe të gazit lotësjellës që është hedhur. Nuk kanë kursyer asnjëherë protestues të paarmatosur, të cilët ishin thjesht të paarmatosur dhe nuk bënin asgjë tjetër pos thirrnin që të protestohet, që të miratohet ligji, që t’i hidhet i gjithë ai gaz lotësjellës dhe t’i hidhet i gjithë ai spraj.

Prandaj, unë për një moment kam kërkuar edhe ndihmë mjekësore, sepse spraji që na është hedhur, domethënë ka qenë jashtëzakonisht i dëmshëm, saqë edhe tani e tutje, edhe kur po flas, kemi probleme, si me thënë, me shikim edhe me sy për shkak të gjithë atij spraji edhe të gjithë atij gazi që e kemi përjetuar mbrëmë. E shpresoj që sonte mos ta përsërisin”, ka shtuar Tahiri./EO

Të fundit nga rubrika