Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë ka thënë të mërkurën për Radion Evropa e Lirë se ndihet “thellësisht e shqetësuar” për ndryshimet që Kuvendi i Kosovës i bëri një ditë më parë në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Ligjvënësit kosovarë e ndryshuan ligjin për t’ia kufizuar kompetencat gjykatës me bazë në Hagë gjatë një votimi pak para mesnatës të martën.
Në një përgjigje për REL-in, zëdhënësja e Ambasadës së Gjermanisë, Catalina Heine, tha se Dhomat e Specializuara të Kosovës janë institucion i pavarur gjyqësor dhe se pavarësia e tyre nuk bën të cenohet.
“Dhomat e Specializuara të Kosovës janë një institucion gjyqësor i pavarur dhe u themeluan në bazë të ligjit të Kosovës dhe mbështetën në Kushtetutën e Kosovës. Qëllimi i tyre është të sigurojnë llogaridhënie dhe drejtësi për viktimat nga të gjitha komunitetet në Kosovë. Për të përmbushur këtë synim, pavarësia e tyre duhet të respektohet plotësisht”, thuhet në përgjigje.
Ambasada gjithashtu theksoi se e mbështet qëndrimin e BE-së kundër ndryshimeve në këtë ligj.
Më herët, Bashkimi Evropian tha se këto ndryshime bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës ndaj bllokut.
“Ne i bëjmë thirrje Kosovës që t’u përmbahet detyrimeve të saj ndërkombëtare për të garantuar pavarësinë gjyqësore të Dhomave të Specializuara të Kosovës, si dhe zotimit për të siguruar llogaridhënie dhe për t’u dhënë drejtësi viktimave dhe familjeve të tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë”, deklaroi zëdhënësi i BE-së, Christian Wiegand, për Radion Evropa e Lirë.
REL-i e ka kontaktuar Qeverinë e Kosovës për të kërkuar koment lidhur me shqetësimet e ngritura nga ndërkombëtarët për këtë çështje, por deri tani nuk ka marrë përgjigje.
Përparim Gruda, zyrtari i partisë kryesore opozitare e cila i inicio ndryshimet në ligj, Partia Demokratike e Kosovës, e nguli këmbë se Kosova “nuk po i shkel” detyrimet e veta ndërkombëtare.
Ndryshimet e miratuara e ngushtojnë juridiksionin e Speciales në aspektin e veprave, kohës dhe territorit, e kufizojnë dënimin në 15 vjet dhe parashohin transferimin e rasteve apo dënimeve në Kosovë.