Të paktën 32 persona, përfshirë fëmijë, janë vrarë në Ukrainë pas një vale sulmesh me raketa dhe dronë të ndërmarra nga Rusia të mërkurën.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka cilësuar sulmin si një nga goditjet më “të urryera” të Rusisë, duke thënë se objektiv i sulmeve ishin edhe infrastruktura energjetike dhe objektet industriale, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.
Humbjet më të mëdha janë regjistruar në Pryluky, në rajonin verior të Chernihivit, ku një raketë ruse goditi një ndërtesë banimi pesëkatëshe.
Sipas Shërbimit të Emergjencave të Ukrainës, deri të enjten në mëngjes numri i të vdekurve në Pryluky ka shkuar në 22. Në mesin e viktimave janë edhe pesë fëmijë. Ndërkohë, në Kiev janë gjetur edhe dy trupa të tjerë pas sulmit ndaj një ndërtese banimi, duke e çuar në katër numrin e viktimave në kryeqytet.
Ministri i Brendshëm ukrainas, Ivan Vyhivskyi, kishte bërë të ditur më herët se në të gjithë vendin ishin vrarë 28 persona, ndërsa Zelensky tha se rreth 100 të tjerë janë plagosur.
Në mbrëmjen e së mërkurës, prokurorët në Kiev njoftuan se mbetjet e një droni kishin shkaktuar vdekjen e dy personave në një zonë periferike të kryeqytetit.
Zelensky tha se sulmet ndodhën në ditëlindjen e presidentit rus, Vladimir Putin.
“Ky është lloji i dhuratës së ditëlindjes që Putini i bëri vetes: vrasjen e fëmijëve, vrasjen e njerëzve”, tha Zelensky në fjalimin e tij të mbrëmjes.
Sipas presidentit ukrainas, civilë janë vrarë edhe në Kiev, si dhe në qytetet qendrore Oleksandria dhe Kremenchuk.
Zelensky tha se Rusia kishte lëshuar gjatë natës rreth 70 raketa, shumë prej tyre raketa balistike me shpejtësi të lartë, si dhe dhjetëra dronë sulmues Shahed.
“Rusët donin të godisnin rëndë dhe në mënyrë demonstrative. Ky ishte një nga sulmet më të urryera”, tha ai.
Në Pryluky, ekipet e emergjencave vazhduan kërkimet nën rrënojat e ndërtesës së banimit. Punonjësit e shpëtimit përdorën shkallë për të arritur në katet e sipërme të pjesës së mbetur të ndërtesës, ndërsa arritën të nxjerrin 15 persona të gjallë nga rrënojat.
Autoritetet rajonale thanë se rreth 55 persona janë plagosur në Pryluky.