Ekzekutimi me pushkatim i Nidal Hasan, ish-psikiatrit të ushtrisë amerikane që vrau 13 persona dhe plagosi 32 të tjerë në bazën ushtarake Fort Hood në Teksas, në vitin 2009, do të transmetohet drejtpërdrejt, ka njoftuar të enjten ushtria amerikane.
Konfirmimi erdhi një ditë pasi sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi se ekzekutimi i Hasan, i planifikuar për 3 dhjetor, do të zhvillohet në publik.
Zyrtarët e Pentagonit bënë të ditur se hollësi të tjera lidhur me mënyrën e realizimit të ekzekutimit do të publikohen më vonë.
Në një video të publikuar të mërkurën në rrjetin social X nga llogaritë zyrtare të Pentagonit, Hegseth tha se Hasan do të ekzekutohet nga një skuadër pushkatimi, duke shtuar se publiku do të ketë mundësi ta ndjekë këtë proces.
“Do të ketë një skuadër pushkatimi me ushtarë, ashtu siç duhet, dhe do të sigurohemi që njerëzit të mund ta shikojnë, që të jetë publik”, deklaroi Hegseth.
Ai i bëri këto komente gjatë një bisede me influencuesin e krahut të djathtë, Jack Posobiec, në bordin e aeroplanmbajtëses amerikane USS Abraham Lincoln, e cila të enjten përfundoi një dislokim gati dhjetëmujor.
“Njerëzit duhet ta kuptojnë se këto lloj veprimesh kanë pasoja serioze”, tha Hegseth.
Ekzekutimi i Hasan do të jetë i pari i realizuar nga ushtria amerikane që nga viti 1961 dhe i pari me pushkatim që nga Lufta e Dytë Botërore.
Gjatë deklaratës së tij, Hegseth iu referua edhe mentalitetit të ushtrisë amerikane gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke thënë: “Më pëlqen disi mentaliteti që kishim gjatë Luftës së Dytë Botërore, që ishte: fitore”.
Nidal Hasan, psikiatër i ushtrisë amerikane, kreu sulmin në bazën ushtarake Fort Hood, në Teksas, në vitin 2009, ku vrau 13 persona dhe plagosi 32 të tjerë.
Në vitin 2013, një gjykatë ushtarake e dënoi me vdekje për sulmin.
Gjatë gjykimit, Hasan deklaroi se e kishte kryer sulmin me qëllim që të mbronte anëtarët e talebanëve në Afganistan nga trupat amerikane.
Njoftimi për ekzekutimin e tij me pushkatim vjen në një kohë kur në Shtetet e Bashkuara po vazhdojnë reagimet pas ekzekutimit të dështuar të Christa Pike, rasti