Detaje nga Gjykata për vrasjen e dyfishtë në Gjilan: I dyshuari qëlloi bashkëshorten në veturë, pastaj vrau kunatin

Gjykata Themelore në Gjilan ia ka caktuar një muaj paraburgim V.R., i dyshuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, dhe vëllait të saj, si dhe për plagosjen e një personi.

Sipas aktvendimit të gjykatës e siguruar nga Dukagjini, ngjarja ka ndodhur më 9 tetor 2026, rreth orës 14:21, në rrugën “Jozef Bayden II”, në fshatin Livoç i Ultë të Gjilanit, pas një mosmarrëveshjeje për motive ende të panjohura.

Në kërkesën për caktimin e paraburgimit, prokuroria ka pretenduar se i dyshuari fillimisht kishte qëlluar me armë zjarri bashkëshorten e tij, e cila ishte ulur në ulësen e pasagjerit në veturë, derisa ishte duke vozitur.

Sipas përshkrimit të ngjarjes në aktvendim, pas kësaj, i dyshuari ishte kthyer në një rrugë tjetër në hyrje të fshatit Livoç dhe e kishte ndalur veturën pranë një veture tjetër, ku ndodheshin familjarët e bashkëshortes së tij.

Prokuroria pretendon se, pasi kishte dalë nga vetura me armë në dorë, i dyshuari u kishte thënë atyre: “Unë jetën e humba se grujen e vrajta, edhe juve kam me ju vra”, dhe më pas kishte shtënë në drejtim të tyre.

Njëri familjar kishte arritur të largohej, ndërsa M.B. ishte plagosur rëndë, por kishte arritur të strehohej në oborrin e një shtëpie. E.B., sipas prokurorisë, nuk kishte arritur të largohej dhe ishte vrarë në vendin e ngjarjes, pasi i dyshuari kishte shtënë disa herë në drejtim të tij.

Pas ngjarjes, V.R. dyshohet se e kishte dërguar bashkëshorten e plagosur në oborrin e Spitalit Rajonal të Gjilanit, para emergjencës, ndërsa më pas ishte paraqitur në polici.

Përveç dyshimit për vrasje të rëndë, ai dyshohet edhe për mbajtje, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Sipas aktvendimit, gjatë kontrolleve policore janë sekuestruar disa armë zjarri, përfshirë një pistoletë të tipit Beretta, për të cilën thuhet se leja kishte skaduar, një armë të gjatë të tipit Mossberg, një pushkë gjuetie, një pushkë pneumatike dhe një pistoletë të tipit TT, si dhe sasi të ndryshme municioni.

Në kërkesën për paraburgim, prokuroria ka vlerësuar se ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale ose i kryerjes së veprave të tjera me pasoja edhe më të rënda. Sipas saj, i dyshuari, përveç dy vrasjeve, kishte rrezikuar edhe jetën e personave të tjerë.

Prokuroria ka theksuar gjithashtu se, për shkak të kohës së shkurtër nga ngjarja, ende nuk kishte arritur t’i merrte në pyetje dëshmitarët dhe të dëmtuarit. Ajo ka vlerësuar se masat e tjera të parapara me ligj nuk ofrojnë kushte të mjaftueshme për zhvillimin e rregullt të procedurës penale.

“…për shkak të një mosmarrëveshje për motive akoma të panjohura, i pandehuri fillimisht së bashku me të ndjerën shkon në fshatin Pozheran, Komuna Viti tek familja e të ndjerës, mirëpo kthehen menjëherë në drejtim të Gjilanit, ndërsa të dëmtuarit M. dhe R. B. me tani të ndjerin E. B. me veturën Pikap Opell Combo me targa 239-HM shkojnë pas tij me qëllim që të bisedojnë, në hyrje të fshatit Livoç i Ultë e tejkalojnë dhe ndalen ta presin, mirëpo i pandehuri me veturën Tiguan, ngjyrë e zezë me targa 06-767-HK vazhdon në drejtim të Gjilanit, gjatë së cilës kohe me armën e llojit Beretta, me nr. serik PX321722 përderisa ishte duke vozitur, shtie në distancë të afërt në drejtim të bashkëshortes së tij, tani të ndjerës N. e cila ishte e ulur përpara, në anën e djathtë të pasagjerit duke e privuar nga jeta, pastaj kthehet përsëri në një rrugë tjetër, në hyrje të fshatit Livoç dhe veturën e ndal pas veturës Pikap ku ishin të dëmtuarit dhe tani i ndjeri, të cilët dalin nga vetura, ndërsa i pandehuri me armën e llojit Bereta del nga vetura dhe ju thotë: “unë jetën e humba se grujën e vrajta, edhe juve kam me ju vra” dhe përnjëherë shtie në drejtim të tyre ku i dëmtuari R. arrin të ikën, ndërsa të dëmtuarin M. e plagosë, mirëpo i njëjti arrin të ikë në një oborr të një shtëpie, mirëpo tani i ndjeri E. B. nuk arrin të ikë dhe të njëjtin e privon nga jeta në vendin e ngjarjes pasi shtie disa herë në drejtim të tij, me pas veturën e tij të markës Tiguan ku ishte e ndjera N. B. e dërgon në oborrin e spitalit rajonal të Gjilanit, para emergjencës dhe e lë aty, ndërsa vetë shkon dhe dorëzohet në polici”, thuhet nga gjykata.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të pandehurit, avokati Ymer Huruglica, e ka kundërshtuar kërkesën për caktimin e paraburgimit.

Ai ka deklaruar se klienti i tij e ka shfrytëzuar të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje dhe se, sipas tij, nga përshkrimi faktik i ngjarjes nuk mund të nxirret përfundimi se e gjithë ngjarja ka ndodhur me fajin e të pandehurit.

Huruglica ka pretenduar se familjarët e bashkëshortes e kishin ndjekur të dyshuarin pasi ai ishte larguar nga Pozherani dhe se kishin arritur ta tejkalonin e ta prisnin në vendin ku më pas ndodhi ngjarja.

Avokati ka kundërshtuar edhe pretendimin për rrezik të ikjes, duke theksuar se i dyshuari, pas ngjarjes, e kishte dërguar bashkëshorten në emergjencë dhe më pas ishte paraqitur në stacionin policor në Gjilan.

Sa i përket rrezikut të përsëritjes së veprës penale, mbrojtja ka argumentuar se ky rrezik nuk mund të mbështetet vetëm në rëndësinë e veprës së dyshuar, duke shtuar se klienti i tij nuk ka të kaluar kriminale.

Shija e redaktorit

Policia ushtarake e FSK trajnohet nga instruktorë gjermanë për mbrojtje...

Në kuadër të Planit të Bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes për vitin 2026, ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë...

Kosova pret Austrinë në “Fadil Vokrri”, synon fitoren për kreun...

Përfaqësuesja e Kosovës përballet sonte me Austrinë në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të ndeshjes së katërt të Grupit B3 në Ligën e Kombeve....

“Shkruaj, vizato dhe fito”, Shtëpia Botuese “Dukagjini” ndan tre çmime...

Kreativiteti në shkrim dhe vizatim do t’u shpërblehet këtë të shtunë. Në kuadër të Panairit të Librit për fëmijë u ndanë edhe çmimet nga Shtëpia...

Të fundit nga rubrika