Këshilltari i Zelenskyt: Kufizimet e Starlinkut po pengojnë operacionet ushtarake të Ukrainës

Kufizimet e reja të vendosura në rrjetin satelitor Starlink, që ndikojnë në lidhjen e pajisjeve që lëvizin me shpejtësi mbi 160 kilometra në orë, kanë penguar disa operacione ushtarake të Ukrainës, ka paralajmëruar këshilltari i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Serhiy Beskrestnov tha se Ukraina nuk ishte njoftuar paraprakisht për kufizimin e vendosur gjatë natës nga kompania SpaceX e Elon Musk.

Starlinku është një mjet i rëndësishëm për ushtrinë ukrainase, pasi i mundëson asaj të drejtojë dronët drejt objektivave ruse, si dhe të mbrojë hapësirën ajrore të vendit.

Në një postim të publikuar të mërkurën në Telegram, Beskrestnov tha se SpaceX kishte vendosur gjatë natës një kufizim të shpejtësisë për terminalet Starlink, duke shkaktuar tashmë ndërprerjen e disa operacioneve ushtarake.

Ai vlerësoi se vendimi i kompanisë “nuk mund të jetë rastësi” dhe se lidhet me situatën aktuale politike. SpaceX nuk ka komentuar publikisht për këtë çështje.

Ndërkohë, të paktën 600 mijë persona në Ukrainë mbetën pa energji elektrike pas sulmeve vdekjeprurëse me raketa dhe dronë të kryera nga Rusia gjatë natës, bëri të ditur Zelensky.

Sipas tij, infrastruktura kritike energjetike u godit në Kiev dhe në rajonin përreth kryeqytetit, si dhe në qytetin verilindor të Harkivit. Sulmet ndodhën pavarësisht pretendimit të presidentit amerikan, Donald Trump, të dielën se Rusia dhe Ukraina kishin arritur një “armëpushim energjetik”.

Zyrtarët lokalë njoftuan se tre persona u vranë në Kiev. Rusia deklaroi se sulmet e saj masive kishin goditur objektiva të komunikimit dhe të infrastrukturës energjetike të përdorura nga ushtria ukrainase.

Më vonë të mërkurën, të paktën gjashtë persona u vranë nga një sulm rus me dron në një depo në qytetin Lutsk, në veriperëndim të Ukrainës, sipas zyrtarëve lokalë.

Në një postim tjetër, këshilltari i Zelenskyt theksoi se Starlinku ishte mjeti më efektiv për t’i mundësuar dronëve përgjues ukrainas të rrëzonin dronët rusë të zhvilluar së fundmi, të cilët lëvizin me motor reaktiv.

Një burim nga Ministria e Mbrojtjes së Ukrainës i tha BBC-së se gjatë natës së kaluar ishin vërejtur kufizime në lidhjen Starlink për pajisjet që lëviznin me shpejtësi mbi 160 kilometra në orë. Sipas burimit, autoritetet po hetonin shkakun kryesor të problemit.

Burime të tjera nga ministria shpjeguan se terminalet e humbnin lidhjen sapo një mjet ose pajisje ushtarake e tejkalonte këtë prag shpejtësie.

Sipas tyre, kjo situatë e vështirëson kryerjen e operacioneve me dronë, veçanërisht me dronët përgjues dhe dronët që përdoren për sulme në distanca të mesme. Gjithashtu, kufizimet ndikojnë në logjistikën në vijën e frontit, zbulimin dhe përcjelljen e sinjaleve.

Në shkurt, vendimi i Elon Musk për t’ua mohuar forcave ruse qasjen në Starlink kishte ngadalësuar përparimin e Moskës në Ukrainë dhe kishte shkaktuar konfuzion te komandantët rusë, raportoi BBC.

Shija e redaktorit

Policia ushtarake e FSK trajnohet nga instruktorë gjermanë për mbrojtje...

Në kuadër të Planit të Bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes për vitin 2026, ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë...

Kosova pret Austrinë në “Fadil Vokrri”, synon fitoren për kreun...

Përfaqësuesja e Kosovës përballet sonte me Austrinë në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të ndeshjes së katërt të Grupit B3 në Ligën e Kombeve....

“Shkruaj, vizato dhe fito”, Shtëpia Botuese “Dukagjini” ndan tre çmime...

Kreativiteti në shkrim dhe vizatim do t’u shpërblehet këtë të shtunë. Në kuadër të Panairit të Librit për fëmijë u ndanë edhe çmimet nga Shtëpia...

Të fundit nga rubrika