Komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli (JFC Naples), admirali George M. Wikoff, komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Roberto Vergori, dhe drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, kanë vizituar sot pjesën veriore të Kosovës.
Gjatë vizitës, ata kanë vëzhguar pjesëtarët e KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës duke zhvilluar patrullime të përbashkëta në këtë pjesë të vendit.
Sipas njoftimit të KFOR-it, Wikoff dhe Vergori janë takuar gjithashtu me kryetarin e Zubin Potokut, Milosh Peroviq, me të cilin kanë diskutuar dhe vlerësuar situatën e sigurisë në këtë komunë.
Në njoftim, KFOR-i ka theksuar se do të vazhdojë të monitorojë zhvillimet në terren, të mbajë kontakte me të gjitha komunitetet dhe të ruajë gatishmërinë operacionale.
“KFOR-i vazhdon të vlerësojë rregullisht situatën në terren, të angazhohet me të gjitha komunitetet dhe të ruajë gatishmërinë operacionale. Ai mbetet i përkushtuar për përmbushjen e misionit të tij me profesionalizëm dhe paanshmëri”, thuhet në njoftim.