Katër persona, përfshirë një mësues dhe tre fëmijë të moshës pesë, tetë dhe 11 vjeç, janë vrarë nga të shtënat me armë zjarri në një shkollë fillore në shtetin e Oregonit, në SHBA, njoftoi policia lokale.
Sipas autoriteteve, i dyshuari për sulmin ishte një 16-vjeçar, i cili dyshohet se ka hyrë me forcë në shkollën fillore “Silver Rail”, pasi ka qëlluar me armë drejt dyerve të mbyllura të objektit. Edhe i dyshuari ka mbetur i vrarë gjatë incidentit, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
Policia në qytetin Bend ndërhyri pas marrjes së një telefonate për një person të armatosur, i cili fillimisht kishte qëlluar drejt një automjeti dhe më pas ishte parë duke hyrë në shkollë me një armë të gjatë zjarri.
Sipas policisë, i dyshuari u qëllua për vdekje nga një person i armatosur, pjesë e komunitetit lokal, i cili e ndoqi atë brenda objektit shkollor.
Nga të shtënat u plagosën edhe dy persona të tjerë: një fëmijë shtatëvjeçar dhe një mësues. Të dy u dërguan në spital dhe, sipas autoriteteve, ndodhen në gjendje kritike.
Guvernatorja e Oregonit, Tina Kotek, reagoi ndaj tragjedisë, duke theksuar se ngjarja ka ndryshuar përgjithmonë jetën e të prekurve.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të sulmit po vazhdojnë.