Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka përdorur kompetencat presidenciale për të bllokuar zbatimin e një pjese të sanksioneve ndaj Rusisë, të miratuara së fundmi nga Kongresi amerikan, me synimin për ta ndëshkuar Moskën për luftën në Ukrainë.
Në një urdhër ekzekutiv të nënshkruar të premten në mbrëmje, Trump argumentoi se pezullimi i disa prej sanksioneve është në interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara.
Ligji për sanksionet, të cilin presidenti e nënshkroi në shtator, ishte paraparë të hynte në fuqi të dielën, më 18 tetor.
Vendimi vjen vetëm pak ditë pasi Trump njoftoi se SHBA-ja do të importojë naftë dizel nga Rusia, në përpjekje për të ulur çmimet e energjisë përpara zgjedhjeve të mesmandatit në nëntor, të cilat do të përcaktojnë se cila parti do të kontrollojë Kongresin amerikan.
Plani ka shkaktuar reagime të ashpra në mesin e ligjvënësve amerikanë, përfshirë kundërshtime nga të dyja partitë politike.
Ligji për sanksionet mban emrin e senatorit republikan nga Karolina e Jugut, Lindsey Graham, një prej mbështetësve më të zëshëm të Ukrainës në Uashington, i cili vdiq më 11 korrik.
Legjislacioni synon të godasë ekonominë ruse dhe i jep Trumpit kompetenca të gjera për të vendosur tarifa deri në 100 për qind ndaj pesë blerësve më të mëdhenj të naftës dhe gazit rus. Në mesin e vendeve që mund të preken më shumë nga këto masa janë Kina dhe India.
Ligji parashikon gjithashtu sanksione ndaj presidentit rus, Vladimir Putin, zyrtarëve të lartë të qeverisë ruse, bankave, institucioneve të tjera financiare dhe të ashtuquajturës “flotë në hije” të cisternave që Rusia përdor për të anashkaluar sanksionet ekzistuese.
Të enjten, një grup prej 20 ligjvënësish amerikanë nga të dyja partitë i dërgoi një letër Trumpit, duke i kërkuar që të sigurojë zbatimin e plotë të ligjit.
Ata e falënderuan presidentin për nënshkrimin e tij dhe theksuan se zbatimi i masave do të ishte vendimtar për ta detyruar Putinin që t’i marrë seriozisht negociatat për paqe.
Ligjvënësit i kërkuan administratës Trump që sanksionet të zbatohen në masën më të plotë dhe pa vonesa.
Megjithatë, vendimi i presidentit ka nxitur kritika nga demokratët. Kongresisti nga Virxhinia, Don Beyer, e akuzoi Trumpin se po i nënshtrohet Moskës dhe po i kthen shpinën Kievit dhe presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.
“Dorëzimi i fundit i Trumpit ndaj Putinit tradhton sërish partnerët tanë ukrainas dhe bie ndesh me vullnetin e qartë të Kongresit përmes legjislacionit të hartuar për të ndëshkuar Rusinë për luftën e saj të paligjshme të agresionit”, shkroi Beyer në platformën X.