Zulfaj: Po të bazohej zgjerimi i BE-së në merita, Kosova do të ishte ndër të parat

Kryenegociatori i Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, ka deklaruar se Kosova ka bërë progres të jashtëzakonshëm në vitet e fundit dhe se është koha që ky progres të përkthehet në hapa konkretë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Zulfaj ka vlerësuar se pozicioni aktual i Kosovës në procesin e integrimit evropian nuk e reflekton progresin e arritur, duke e lidhur këtë me mungesën e unitetit brenda Bashkimit Evropian.

“Kosova ka bërë progres të jashtëzakonshëm në vitet e fundit dhe pozicioni ynë aktual në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian nuk e reflekton këtë progres. Ky pozicion është rezultat i mungesës së unitetit brenda vetë Bashkimit Evropian”, ka deklaruar Zulfaj në një video të publikuar në Facebook.

Ai ka theksuar se, nëse procesi i zgjerimit do të bazohej në merita dhe rezultate, Kosova do të ishte ndër vendet që i prijnë këtij procesi.

“Nëse procesi i zgjerimit do të bazohej në merita dhe në rezultatet e arritura, Kosova sot do të ishte në mesin e vendeve që i prijnë këtij procesi”, ka thënë ai.

Sipas Zulfajt, Kosova meriton statusin e vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim për shkak të progresit demokratik, rritjes ekonomike, linjëzimit me politikën e jashtme dhe promovimit të vlerave të BE-së.

Duke folur për vizitat e zhvilluara gjatë javës, Zulfaj ka bërë të ditur se fillimisht ka marrë pjesë në takimin ministror të BE-së në Luksemburg, ku është zyrtarizuar anëtarësimi i Kosovës në Qendrën Evropiane për Qëndrueshmëri Demokratike.

Më pas, ai ka vazhduar vizitën në Bruksel, ku për tri ditë ka zhvilluar takime dhe diskutime për avancimin e statusit të Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Në qendër të vizitës në Bruksel ishte takimi me Komisioneren Evropiane për Zgjerim, zonjën Marta Kos, me të cilën diskutuam për progresin e Kosovës në procesin e integrimit, për hapat drejt marrjes së statusit të vendit kandidat dhe hapjes së negociatave për anëtarësim”, ka deklaruar Zulfaj.

Ai ka bërë të ditur se në Parlamentin Evropian ka takuar eurodeputetë nga shtete të ndryshme anëtare, të cilët i ka falënderuar për angazhimin dhe mbështetjen e tyre në rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së.

Zulfaj ka zhvilluar gjithashtu takime me drejtues të institucioneve evropiane dhe me 30 përfaqësues nga shtetet anëtare të BE-së, Shërbimi i Jashtëm i Veprimit dhe institucione të tjera që merren me zgjerimin dhe Ballkanin Perëndimor, në kuadër të grupeve punuese COELA dhe COWEB.

“Biseduam për progresin që Kosova ka bërë, sfidat që na shoqërojnë dhe hapat që duhet të ndërmarrim për të ecur përpara drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, ka thënë Zulfaj.

Shija e redaktorit

Policia ushtarake e FSK trajnohet nga instruktorë gjermanë për mbrojtje...

Në kuadër të Planit të Bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes për vitin 2026, ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë...

Kosova pret Austrinë në “Fadil Vokrri”, synon fitoren për kreun...

Përfaqësuesja e Kosovës përballet sonte me Austrinë në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të ndeshjes së katërt të Grupit B3 në Ligën e Kombeve....

“Shkruaj, vizato dhe fito”, Shtëpia Botuese “Dukagjini” ndan tre çmime...

Kreativiteti në shkrim dhe vizatim do t’u shpërblehet këtë të shtunë. Në kuadër të Panairit të Librit për fëmijë u ndanë edhe çmimet nga Shtëpia...

Të fundit nga rubrika