Katër pjesëtarë të forcave të armatosura kanadeze kanë vdekur dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur pas një zjarri të madh në bazën ushtarake Wainwright, në Kanada, ka bërë të ditur kryeministri kanadez, Mark Carney.
Carney e cilësoi ngjarjen si një nga tragjeditë më të rënda për ushtrinë kanadeze në kohë paqeje, duke përshkruar zjarrin e së shtunës si të dhunshëm dhe me përhapje të shpejtë, raporton BBC.
Zjarri, i cili shpërtheu rreth orës 16:00 sipas kohës lokale, tashmë është vënë nën kontroll. Megjithatë, ekipet e shpëtimit kanë mbetur në vendin e ngjarjes për të parandaluar riaktivizimin e mundshëm të flakëve.
Një zëdhënës i mbrojtjes ka bërë të ditur se hetimet për shkaqet e zjarrit janë duke vazhduar. Sipas tij, deri më tani nuk ka indikacione se zjarri ka qenë rezultat i ndonjë aktiviteti terrorist.
Baza e Forcave Kanadeze Wainwright është një nga bazat më të ngarkuara të stërvitjes ushtarake në vend.
Ngjarja vjen në një moment të ndjeshëm politik për kryeministrin Carney, vetëm pak ditë para referendumit në Alberta, ku qytetarët do të votojnë nëse duhet të ndiqet procesi për pavarësimin e provincës.