Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka bërë thirrje për “qetësi dhe rend”, duke paralajmëruar se trazirat në vend nuk duhet të përshkallëzohen, pas protestave që të shtunën u shoqëruan me dhunë, vandalizëm dhe plaçkitje.
Në një adresim televiziv nga Pallati Élysée në Paris, Macron tha se të gjithë ndiejnë “zemërim dhe turp” për atë që ndodhi, duke bërë dallimin mes kërkesave legjitime të protestuesve dhe personave që shkatërruan prona dhe plaçkitën biznese.
Rreth 550 mijë persona dolën në rrugë për të protestuar kundër rritjes së çmimeve të karburanteve, kostos së jetesës dhe përkeqësimit të shërbimeve publike, përfshirë arsimin. Shumica e protestave ishin paqësore, por në disa qytete situata eskaloi në përleshje dhe akte vandalizmi.
Sipas raportimeve, policia ka arrestuar rreth 2 mijë e 400 persona, raporton BBC.
“Nothing justifies” dhunën e pakontrolluar, tha Macron, duke paralajmëruar se personat e përfshirë në akte të tilla do të përballen me drejtësinë.
Grupe protestuesish të veshur me të zeza dhe me fytyra të mbuluara u përfshinë në trazira në Paris, Marsejë dhe qytete të tjera. Disa prej tyre u vunë zjarrin automjeteve dhe ndërtesave, ndërsa plaçkitje u raportuan në Paris, Marsejë, Lilë dhe zona të tjera të vendit.
Macron tha se prefektët dhe kryetarët e komunave do të bashkëpunojnë për të marrë masat e nevojshme për mbrojtjen e dyqaneve dhe ndërtesave.
Ai premtoi gjithashtu “transparencë të plotë” lidhur me reagimin e policisë ndaj demonstratave.
Gjatë fundjavës, policia përdori gaz lotsjellës dhe topa uji për të shpërndarë turmat. Në disa raste, policët e njësive të trazirave u panë duke goditur protestues me shkopinj.
Ministria e Brendshme e Francës bëri të ditur se rreth 1 mijë policë u plagosën gjatë së shtunës, shtatë prej tyre në gjendje të rëndë.