Gjashtë komisione parlamentare do të mbajnë mbledhje gjatë ditës së sotme, më 27 tetor, në Kuvendin e Kosovës, ku në rend dite kanë projektligje të ndryshme, shqyrtimin e planeve të punës dhe çështje të tjera nga fushat përkatëse.
Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion do të mblidhet në orën 10:00. Në rend dite janë shqyrtimi në parim i Projektligjit për Efiçiencë të Energjisë, shqyrtimi i vendimit të presidentes për Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit, si dhe shpallja e konkursit për zgjedhjen e drejtorit të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit (ARRU).
Po ashtu, do të raportojë kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës, Neime Binaku, lidhur me gjendjen në këtë institucion.
Në orën 10:30 do të mblidhet Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, i cili do të shqyrtojë në parim Projektligjin për Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave.
Ndërkaq, Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë do të mbajë mbledhjen në orën 11:00. Deputetët e këtij komisioni do të diskutojnë për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve dhe grupet e miqësisë.
Në orën 12:00 do të mblidhet Komisioni për Mirëqenie Sociale, Punë, Familje, Vlerat e Luftës Çlirimtare, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe për Persona të Pagjetur. Në rend dite është shqyrtimi dhe miratimi i draft-planit të punës së komisionit funksional.
Po në orën 12:00, mbledhje do të mbajë edhe Komisioni për Arsim dhe Shkencë, ku do të shqyrtohet plani i punës së komisionit për sesionin vjeshtor të vitit 2026.
Ndërsa, në orën 13:00 do të mblidhet Komisioni për Mjedis, Planifikim Hapësinor, Ushqim, Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Transport.
Ky komision do të shqyrtojë në parim Projektligjin për Regjistrimin e Bujqësisë dhe Projektligjin për Inspektoratin Qendror të Bujqësisë, Sigurisë Ushqimore, Veterinës dhe Pylltarisë.