Qeveria nuk ia ekzekuton pagat as mësimdhënësve që nuk ishin në grevë

Qeveria e Kosovës, respektivisht Ministria e Financave, nuk i ka ekzekutuar pagat as për mësimdhënësit të cilët nuk ishin pjesë e grevës së fundit në sektorin e arsimit

Qeveria e Kosovës





Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari, ka deklaruar gjatë ditës se nuk do të procesohen pagat për punëtorët e sektorit publik, të cilët kanë qenë pjesë e grevës, duke thënë se kështu thotë ligji.

Por, pagat nuk janë ekzekutuar as për mësimdhënësit e komunave me shumicë serbe, të cilët nuk janë pjesë e Sindikatës së Arsimit, dhe rrjedhimisht nuk kanë qenë pjesë e grevës së fundit në sektorin e arsimit.

Këtë e ka konfirmuar për Portalin Dukagjini, nënkryetari i Komunës së Novobërdës, Bajrush Ymeri, i cili ka thënë se pagat nuk i kanë marrë as mësimdhënësit që ishin pjesë e grevës e as ata që nuk ishin.

“Jo, pagat nuk kanë dalë për asnjë mësimdhënës. Ka prej atyre që kanë qenë pjesë e grevës, por janë edhe mësimdhënësit e komunitetit serb, të cilët nuk kanë qenë pjesë e grevës së organizuar nga SBAShK-u”, ka thënë ai.

Diferencime sa i përket procesimit të pagave, ka pasur edhe në sektorët të tjerë. Shërbyesve civilë u ka dalë paga edhe pse ishin pjesë e grevës, kurse mësimdhënësve jo.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, është shprehur i indinjuar me këtë vendim të qeverisë, të cilin e ka quajtur diskriminues e hakmarrës.

“Fatkeqësisht ende nuk janë procesuar në sistemin arsimor, teksa e keqja shtohet se janë procesuar për shërbyesit civilë që ishin në grevë dhe kjo është një segregacion, nuk ka çfarë të dyshohet për tjetër, përveç ndonjë qëllim që vetëm qeveria e di”, ka thënë ai.

Tutje, Jasharaj ka paralajmëruar “situatë të acaruar”, nëse nuk procesohen pagat deri më 5 tetor të këtij viti.

“Uroj që deri në kufirin ligjor më 5 tetor, Qeveria të mos e bëjë edhe këtë goditje, por t’i procesojë pagat, përndryshe do të kemi situatë të acaruar. Edhe mediat e kanë parë se edhe kur u bë pezullimi i grevës, votat pro dhe kundër ishin kogja të përafërta. Nuk është e drejtë të shkelen ligjet dhe të shkelet humaniteti. Nëse bëhet kjo goditje atëherë s’kemi si të mos besojmë se Qeveria i do grevat dhe përplasjet”, ka thënë ai.

Afati ligjor për ekzekutimin e pagave për punëtorët e sektorit publik është më së largu data e pesë tetorit e këtij viti.





Shija e redaktorit

75 vota pro, Parlamenti kalon me procedurë të përshpejtuar huanë...

Parlamenti i Shqipërisë miratoi mëngjesin e kësaj të hëne, me 75 vota pro, kalimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes së huasë ndërmjet Shqipërisë...

BookFest vazhdon rrugëtimin në Gjilan pas suksesit të jashtëzakonshëm në...

Pas një edicioni tejet të suksesshëm në Prishtinë, ku mijëra vizitorë krijuan një atmosferë të veçantë me diskutime frymëzuese, aktivitete të shumta dhe dashuri...

Anthony Joshua rikthehet në ring, shqiptari Kristian Prenga synon ta...

Një nga emrat më të mëdhenj të boksit botëror, Anthony Joshua, rikthehet këtë fundjavë në ring për t’u përballur me boksierin shqiptar Kristian Prenga,...

Të fundit nga rubrika