A i shërbeu Abazoviq Serbisë?

Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, nga njohës të politikës në Kosovë, është duke u parë si një shërbëtor i Serbisë, i cili u ka mundësuar atyre arritjen e qëllimeve në Mal të Zi, siç është marrëveshja me Kishën Ortodokse Serbe. Kjo po vlerësohet se i ka hasmëruar shqiptarët dhe malazezët

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, me kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq

Ardhja në pushtet në pozitën e kryeministrit të parë shqiptar në Mal të Zi e Dritan Abazoviq ishte pritur me shumë entuziazëm në Kosovë.

Kryeministri i tretë shqiptar në rajon nuk e kishte vizituar Kosovën, por nuk kishte vepruar në të njëjtën mënyrë me shtetet e Ballkanit Perëndimor, sepse në qeverisjen e tij të shkurtër ai e kishte vizituar Serbinë dy herë.

Qëndrimi i ish-kryeministrit shqiptar në raport me Kosovën nga anëtari i Komisionit për Siguri në Kosovë, Rashit Qalaj, po cilësohet si një politikë e cila është përdorur nga ana e tij për të ruajtur pushtetin dhe ka thënë që ish-kryeministrin Abazoviq vetëm një gjë e bashkon me shqiptarinë.

Rashit Qalaj, Anëtar i Komisionit për Siguri në Kosovë

“Unë personalisht nuk kam pasur ndonjë pritje nga ish-kryeministri i Malit të Zi zotëri Abazoviq. Unë mendoj që ai përveç emrit Dritan asgjë nuk ka të përbashkët me shqiptarinë”, ka potencuar Qalaj.

Më tej, ai ka shtuar se ish-kryeministri ka ftohur edhe raportet mes malazezëve dhe shqiptarëve të cilët jetojnë në Mal të Zi, për shkak të ndjekjes së politikës së afërt me Serbinë.

“Unë personalisht mendoj që zoti Abazoviq ka dëmtuar edhe raportet në mes malazezëve dhe shqiptarëve në Mal të Zi pikërisht me ndjekjen e politikës shumë të afërt me shtetin serb. Paramendoni një kryeministër i një shteti mik të Kosovës, që është anëtar i NATO-s, me emër shqiptar deklarohet prerazi kundër rishikimit të demarkacionit dhe e viziton Serbinë, por nuk e bën të njëjtën gjë me Kosovën”, ka theksuar anëtari i Komisionit të Sigurisë Rashit Qalaj.

Ndërsa, politologu Kuçi ka bërë një krahasim mes kohës së Millosheviçit dhe tani idesë së Ballkanit të Hapur, duke thënë që të dyja kishin për synim shpërbërjen e Kosovës.

Sipas Kuçit, Abazoviq i ishte bashkëngjitur një politike të tillë për ta ruajtur pushtetin.

Gurakuç Kuçi, politolog

“Sllobodan Millosheviq në vitin 1992, gjatë një qëndrimi në rivierat greke kishte ngritur platformën e bashkimit sllav dhe ortodoks bazuar në platformën e vitit 1913, por të modifikuar ku do të bënin pjesë, Serbia, Greqia, Maqedonia, Mali i Zi ndërsa trojet shqiptare do të copëtoheshin duke përfshirë edhe shtetin shqiptar. Kjo ide u kishte pëlqyer madje edhe disa caqeve diplomatike në BE dhe vetëm ndërhyrja e SHBA-së kishte ndaluar ide të tilla”.

Për Kuçin, Ballkani i Hapur është një modifikim që ka për qëllim të shpërbëjë Kosovën për t’i dhënë pushtet rehabilitues Serbisë në forma të ndryshme. Që ajo nuk ngopet, e ka treguar vitet e 90-ta kur i ishte kundërvënë me luftë të gjitha shteteve të Jugosllavisë dhe e kishte suprimuar autonominë e Kosovës.

Më tej, ai ka thënë se pavarësisht sa ishte i afërt me shtetin serb, Abazoviq gabimin më të madh e ka bërë me nënshkrimin e marrëveshjes me Kishën Ortodokse Serbe.

“Kosova vetëm mund ta dëmtonte pushtetin e Abazoviqit, andaj edhe Abazoviq ishte i hapur me Serbinë dhe i mbyllur me Kosovën. Por kulmi i mosdurimit ndaj Abazoviqit ishte marrëveshja me Kishën Ortodokse”.

”Kisha Ortodokse është bërthama e ruajtjes së nacionalizimit sllav, nuk mund të jesh sllav nëse nuk je ortodoks, ky është postulat i gjithë sllavëve. Kjo e bën të mundur pra shtrirjen e pushtetit të Rusisë dhe Serbisë. Humbja më e madhe për Serbinë nuk ka qenë Kosova, por Mali i Zi, dhe këta të fundit e kuptojnë mirë që çdo lëvizje e gabuar nuk ka shpëtim më nga Serbia”, ka shtuar politologu.

Ndër të tjera, Kuçi ka thënë se pavarësisht faktit që në Ballkan tre shqiptarë ishin në krye të qeverive, sipas tij, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ish-kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq me veprimet e tyre i kanë bërë dëm Kosovës dhe shqiptarëve në Luginë të Preshevës, gjë e cila tregon pavetëdijen e intelektualizmit të shqiptarëve të kuptojnë drejt rrethanat.

Më tej, politologu ka thënë që Kosova duhet të ketë kujdes në takimet me opozitat e vendeve të ndryshme, sepse nuk guxon t’i lejojë vetes të përfshihet në çështje të brendshme të shteteve të tjera duke përmendur edhe takimin e fundit mes presidentes Vjosa Osmani dhe presidentit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviq.

“Mbetet të shihet sa do t’i qëndrojë prapa fjalëve Gjukanoviq sa i përket çështjes së rishikimit të demaskimit të kufirit, apo thënë më mirë sa do të ndikojë që qeveria e Malit të Zi ta bëjë këtë, pasi ai nuk është kryeministër”.

“Bashkëpunimi i Kosovës me Malin e Zi sa i përket çështjes së sigurisë është i mirëseardhur, por që tregon se realisht Abazoviq e ka pasur fjalorin plot properëndimor, por veprimet kanë qenë në të kundërtën dhe tani qasja është rikthyer prapë në mënyrën e bashkëpunimit siç e kërkon edhe NATO”, ka theksuar Kuçi.

Ndërsa, kryetari i Komisionit të Sigurisë, Bekë Berisha, ka theksuar faktin se Mali i Zi për Kosovën është shtet mik dhe se Abazoviq është bërë kryeministër me ndihmën e Serbisë, duke shtuar se vendi fqinj është duke u sfiduar nga Rusia e cila po përdor metoda për destabilizim të Ballkanit.

Bekë Berisha, kryetar i Komisionit të Sigurisë në Kosovë

“Nëpër histori gjen shpeshherë raste kur armiku na është ofruar në veshje kombëtare, me kapuq te bardhë dhe tirqi me 12 gajtana. Unë kam pasur dyshimet e mia se si mundet në Mal të Zi të bëhet kryeministër shqiptari dhe me përkrahjen e kujt, të Serbisë “.

“Mali i Zi tani sfidohet shumë nga serbët dhe Kisha Ortodokse Serbe me ndikim direkt nga Rusia. Shqiptarët në Mal të Zi duhet të dinë të rreshtohen me politikat perëndimore kundër ndikimit rus. Rusia tani është duke u munduar ta korrë produktin e punës shumëvjeqare që ka investuar në forma të ndryshme në Mal të Zi, Kosovë e Maqedoni të Veriut përmes bazës qendrore ruse në Serbi. Shërbimet ruse insistojnë në destabilizim të Ballkanit me metoda të shumta e të sofistikuara”, ka thënë Berisha.

Ndryshe, Dritan Abazoviq, ka hyrë në histori si shqiptari i parë, kryeministër në Mal të Zi. Ai ishte zgjedhur kryeministër më 28 prill të këtij viti dhe mandati i tij ka zgjatur gati për katër muaj, derisa ishte votuar mocioni i mosbesimit të Qeverisë së Malit të Zi.

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika