A po kthehet Mali i Zi nën ombrellën pansllaviste?

Pas situatës së krijuar politike në Mal të Zi, për politologët po konsiderohet momentumi i fundit që kryeministri Dritan Abazoviq të distancohet nga politikat që në thelb e shndërrojnë Malin e Zi në “shtetin e dytë serb”

Flamuri i Malit të Zi

Situata politike e krijuar në Mal të Zi, bëri që kryeministri Dritan Abazoviq të deklarohej se është i gatshëm të japë dorëheqje, për shkak se presidenti Milo Gjukanoviq kishte thënë se partia e tij nuk do ta mbështesë qeverinë.

Partia Socialdemokrate dhe Partia Demokratike e Socialistëve kanë ndërprerë mbështetjen për të, pasi Qeveria e Abazoviqit, më tetë korrik të vitit 2022, kishte miratuar draft-kontratën e Marrëveshjes Themelore me Kishën Ortodokse Serbe.

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka takuar kreun e Kishës Ortodokse Serbe, patriarkun Porfirije, në Beograd, më 20 qershor

Politologu Mentor Tahiri ka thënë se që nga krijimi i realitetit të quajtur shteti i pavarur i Malit të Zi, qarqe politike nga Beogradi dhe Moska kanë qenë në hulumtimin e pistave të mundshme të relativizimit të pavarësisë së Malit të Zi.

Sipas tij, ky relativizim i pavarësisë malaziase zhvillohet kryesisht në dy drejtime të drejtpërdrejta e që siç thotë Tahiri, synon edhe fazën e parë të rikthimit të Malit të Zi nën ombrellën pansllaviste.

Ai në një prononcim për Portali Dukagjini, ka theksuar se ekzistojnë dy pista pansllaviste që zhvillohen në kuadër të projektit, i cili sipas Tahirit, synon një Mal të Zi si shtet të dytë serb.

“Pista e parë po bëhet me anë të instrumentalizimit përmes Kishës Ortodokse Serbe, me anë të së cilës njëkohësisht po goditet fuqishëm identiteti etnik malazias si dhe përpjekjet për një autoqefali të konsoliduar të Kishës Ortodokse në Mal të Zi, si dhe po territorializohet çështja kishtare”, ka thënë ai.

Politologu Mentor Tahiri

“Pista e dytë e këtij projekti pansllavist që synon përmbysjen e Malit të Zi është me anë të inxhinieringut elektoral, e që vjen pashmangshëm, në rast se i jepet statusi i shtetasve një komuniteti të madh proserb jashtë Malit të Zi”, shtoi Tahiri.

Kjo, siç tregon politologu Tahiri, do të zhbënte balancat dhe do të krijonte një trup elektoral me predispozita të gatshme për të votuar çdo herë një opsion proserb, me ç’rast do të humbte kuptimi i pavarësisë së Malit të Zi.

“Çdo kompromis ndaj këtij projekti i cilësdo qeveri të Mali të Zi dhe pavarësisht se kush është kryeministër, i ndihmon politikave proserbe dhe atyre pansllaviste që të rikuperojnë humbjen e madhe strategjike të vitit 2006”.

Për Tahirin, është një momentum shumë i ndjeshëm politik, “ndoshta edhe i orëve të fundit që kryeministri Abazoviq të distancohet nga politikat që në thelb e shndërrojnë Malin e Zi në shtetin e dytë serb”.

“Çdo vazhdim naiv i implementimit të politikave të gabueshme në Mal të Zi, jo vetëm që rrezikon Malin e Zi në kufijtë e tanishëm, ngase pashmangshëm do të ketë kërkesa për t’u larguar nga një Mal i Zi i tillë, por rrjedhimisht me këtë do të ketë destabilizim të madh në rajon”, ka thënë ai.

Sipas tij, Abazoviq nuk duhet ta gjejë veten në mesin e politikanëve “të rangut” të Dodik.

“Jo thjesht për shkakun e karrierës së tij politike, por mbi të gjitha për shkak të së ardhmes së një Mali të Zi të pavarur, demokratik dhe shtet qytetar”.

Situata “e mjegulluar”

Situata e qeverisë Abazoviq, për ish-ambasadorin e Kosovës në Mal të Zi, Ylber Hysa, është shumë e mjegulluar.

Madje, sipas Hysës, kjo situatë “duket” një shans i humbur për të adresuar mundësinë e integrimeve evropiane e cila premtohej për këtë qeveri.

“Është pikëpyetje se si Abazoviq do të mund të qëndrojë në fuqi, përveç nëse atë vendosin ta përkrahin ish-partnerët e tij që tani janë në opozitë, përfshirë DP-në, por dhe Demokratët apo pjesa e mbetur e njerëzve të ish-kryeministrit Zdravko Krivokapiq”, ka thënë Hysa për Portali Dukagjini.

Ish-ambasadori i Kosovës në Mal të Zi, Ylber Hysa

Për të, votëbesimi është një logjikë e asaj që ka ndodhur pas veprimit të Abazoviq me sjelljen e marrëveshjes me Kishën Ortodokse Serbe.

“Mbetet pikëpyetje nëse janë të mjaftueshme votat ose nëse janë të sigurura, sepse duhen 41 deputetë që të votojnë për të rrëzuar qeverinë. Por edhe nëse nuk do të ketë mjaftueshëm vota për ta rrëzuar qeverinë, atëherë nuk do të ketë as mjaftueshëm vota që të qeverisë Abazoviq dhe të bëjë punë të rëndësishme në parlament”, shtoi ai.

“Vakuumi dhe kriza konkrete qeveritare”

Hysa ka theksuar se kjo mund ta sjellë atë në një pozicion në të cilin Abazoviqit do t’i mungojë legjitimitetit që të bëjë punë në qeveri, sidomos për faktin që tani duhet 2/3 e votave për të siguruar krijimin e Gjyqit Kushtetues.

Ai ka thënë se janë disa probleme të akumuluara të cilat nuk do të mund të zgjidhen dhe “kjo do të thotë vakuum dhe krizë konkrete qeveritare”.

Ndryshe, më 19 korrik, Abazoviq i ishte përgjigjur pozitivisht ftesës së Gjukanoviqit për takim.

Presidenti Gjukanoviq dhe kryeministri Abazoviq janë konsultuar për tejkalimin e problemeve sa i përket funksionimit të pushtetit ekzekutiv, i cili është shkaktuar nga miratimi i Marrëveshjes për çështje me interes të përbashkët të qeverisë së Malit të Zi dhe KOS-it.

Presidenti i Malit të Zi Milo Gjukanoviq dhe kryeministri Dritan Abazoviq

Ruajtja e stabilitetit politik si dhe përmirësimi i funksionalitetit të institucioneve të sistemit, janë vlerësuar se janë në interes të Malit të Zi dhe të ardhmes së vendit.

Qeveria e Dritan Abazoviqit është zgjedhur më 28 prill të këtij viti me votat e DPS-së, URA-s, SDP-së, Partisë Popullore Socialiste pro-serbe dhe partive të popujve pakicë.

Shija e redaktorit

Voton Bujar Osmani, kandidat për president i Maqedonisë Veriore

Kandidati për president i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka votuar. Në një deklaratë para medieve, Osmani inkurajoi qytetarët të dalin në numër sa më...

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Të fundit nga rubrika