Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas pezullimit të Dialogut Strategjik midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.
Abdixhiku e ka cilësuar këtë si pikën më të ulët të marrëdhënieve me aleatin strategjik dhe theksoi se vendi po përballet me krizë politike dhe mungesë përgjegjësie nga drejtuesit aktualë.
“Suspendimi i dialogut strategjik me SHBA-të paraqet pikën më të ulët të relacioneve të Kosovës me aleatin tonë strategjik dhe ekzistencial; si shtet i pavarur e sovran.
Shkatërruesit e shtetit, bllokuesit historik, shkelësit e Kushtetutës, ligjeve e normave morale njerëzore, kanë zgjedhur të ndërtojnë rrugëtimin e tyre mbi krizën e përhershme, mbi frikën e pashtershme dhe mbi fatkeqësinë e Republikës.
Populli i Kosovës nuk është si ta.
Populli i Kosovës nuk do të jetë si ta.
Është koha të bashkohemi të gjithë; t’i japim fund kësaj çmendurie politike dhe të ndërtojmë shtetin që e kemi merituar gjithmonë – para se të bëhet vonë për të gjithë.
LDK do të kujdestarojë me plot përkushtim e përgjegjësi rrugën euroatlantike të Kosovës; do të garantojë miqësinë e përhershme me SHBA-në dhe do të rikthejë vendin tonë në binarët e arsyes, ligjit dhe demokracisë.
Le t’i japim dritë Republikës sonë të përhershme!”, ka shkruar Abdixhiku.