Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se partia ka arritur të rikthejë besimin e elektoratit dhe të sigurojë 20 mandate në zgjedhjet e fundit parlamentare.
Në një postim në Facebook, Abdixhiku e ka cilësuar këtë rezultat si një kthesë të rëndësishme për LDK-në, duke theksuar se partia ka kaluar nga një periudhë krize drejt, siç tha ai, stabilitetit të ri politik.
“Këtë herë për të mbarë. Nga një krizë historike me apetite e projekcione të errëta, drejt një stabiliteti të ri. Drejt rikthimit të besimit duke qenë të vërtetë dhe duke qenë vetja. Dhe kjo është pasuria më e madhe që kemi sot. Qëndrojmë si LDK me 20 mandate”, ka shkruar ai.
Ai ka shtuar se ndryshimet e arritura brenda një periudhe të shkurtër kohore tregojnë rikthimin e besimit të votuesve dhe forcimin e subjektit politik.
Abdixhiku paralajmëroi gjithashtu reforma të thella të brendshme në parti, të cilat tha se do të realizohen me prioritet dhe qartësi, duke theksuar nevojën për njerëz që kontribuojnë aktivisht në zhvillimin e LDK-së.
Sipas tij, këto reforma do të synojnë forcimin e mëtejshëm të partisë dhe eliminimin e pengesave të brendshme në funksionimin e saj.