Abdixhiku: Refuzimi i kandidatit të LDK-së e çon vendin drejt zgjedhjeve të reja

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas qëndrimit të gjashtë deputetëve të këtij subjekti, të cilët kundërshtuan marrëveshjen për mbështetjen e Bekim Sejdiut për president. Ai ka mohuar se është refuzuar ndonjë marrëveshje qeverisëse mes LDK-së dhe Vetëvendosjes, duke e cilësuar këtë veprim si dëm ndaj LDK-së.

“Ky veprim është dëm vetëm ndaj LDK-së”, ka shkruar Abdixhiku.

Abdixhiku ka thënë se LDK-ja kishte vendosur të qëndronte në opozitë dhe se të gjithë deputetët e saj ishin pajtuar me këtë qëndrim.

“Dje nuk u refuzua asnjë marrëveshje qeverisëse me VV-në, sepse një marrëveshje e tillë nuk ekzistonte. LDK-ja kishte vendosur të qëndronte në OPOZITË. Të gjithë deputetët tanë ishin pajtuar me këtë pozicion”, ka shkruar Abdixhiku.

Sipas tij, ajo që u refuzua ishte zgjidhja për Presidentin e Kosovës, pasi nuk mori mbështetje kandidati i propozuar nga LDK-ja.

“Dje u refuzua zgjidhja e Presidentit të Kosovës. U refuzua votimi i kandidatit të propozuar nga LDK-ja dhe, me këtë refuzim, u përcaktua edhe fati i vendit, zgjedhje të reja”, ka deklaruar ai.

Abdixhiku ka kritikuar gjithashtu ata që, sipas tij, po e paraqesin situatën si sukses politik, duke thënë se zgjedhjet e reja nuk kanë qenë pjesë e agjendës së LDK-së.

“Zgjedhjet e reja nuk kanë qenë agjendë e LDK-së. Nuk kanë qenë as kërkesë dhe as vendim i anëtarësisë sonë”, ka shkruar ai.

Tutje ai i ka akuzuar këta deputetë edhe për rënien në 12 për qind në vitin 2012. Abdixhiku ka thënë se zgjedhjet e reja s’kanë qenë agjendë e LDK-së, por e grupeve të tjera politike.

Në fund, kreu i LDK-së ka thënë se pavarësisht zhvillimeve, nuk do të ketë dorëzim.

“Për këtë ndiej vetëm keqardhje! Por jo dorëzim. Jemi shumë. Jemi në të drejtë. E kemi detyrim. Republika megjithatë do të triumfojë!”, ka përfunduar ai.

Ndryshe, një ditë më parë, gjashtë deputetë të LDK-së – Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Arben Gashi, Janina Ymeri, Armend Zemaj dhe Kujtim Shala – kundërshtuan marrëveshjen e arritur nga kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku, me Vetëvendosjen për propozimin e Bekim Sejdiut për president. Marrëveshja ishte mbështetur edhe nga Kryesia e LDK-së. Pa votat e këtyre deputetëve, zgjedhja e Sejdiut duket e vështirë, nëse në proces nuk përfshihen edhe parti të tjera shqiptare.

Në konferencën për media të martën, Abdixhiku kritikoi qëndrimin e gjashtë deputetëve dhe paralajmëroi se ndaj tyre mund të ndërmerren edhe masa ndëshkuese.

Të fundit nga rubrika