Autoritetet indoneziane kanë nisur një operacion kërkim-shpëtimi për gjetjen e një aeroplani të vogël me 11 persona në bord, i cili u zhduk mbi pjesën lindore të Indonezia, kanë bërë të ditur zyrtarët e shpëtimit për Agence France-Presse (AFP).
Sipas të dhënave zyrtare, avioni, në pronësi të kompanisë ajrore Indonesia Air Transport, ishte nisur nga Yogyakarta në ishullin Java dhe kishte destinacion qytetin e Makassar, në provincën Sulawesi Jugore. Në bord ndodheshin tre pasagjerë dhe tetë anëtarë të ekuipazhit.
Kontakti me aeroplanin është humbur pak pas orës 13:00, sipas kohës lokale.
Kreu i agjencisë lokale të kërkim-shpëtimit, Muhammad Arif Anwar, ka deklaruar se ekipet janë dislokuar në një zonë malore në distriktin Maros, rreth 42 kilometra larg Makassarit, ku është regjistruar edhe pozicioni i fundit i avionit.
Në operacionin e kërkimit janë përfshirë forcat ajrore, policia dhe vullnetarë, ndërsa drejtori i operacioneve të shërbimit të kërkim-shpëtimit në Makassar, Andy Sultan, ka sqaruar se në zonë janë dërguar edhe një helikopter dhe një dron për të lokalizuar aeroplanin e zhdukur.