Afro 40 orë nga vrasja e gruas shtatzënë, i dyshuari ende në arrati

Këtë të premte, i jepet lamtumira e fundit, gruas që u vra para objektit të Klinikës së Gjinekologjisë në Prishtinë. Familjarë të shtatzënës së vrarë kanë bërë të ditur se varrimi do të bëhet në ora 13:00. Ndërsa, i dyshuari i vrasjes është bashkëshorti i saj, i cili është akoma në arrati

Foto ilustrim





Të mërkurën rreth orës 18:00, u vra një grua shtatzënë në oborrin e Klinikës Gjinekologjike në Prishtinë, ndërsa edhe pas 40 orëve, i dyshuari, bashkëshorti i saj, Sokol Halili, është në arrati.

Policia e Kosovës deri më tani ka gjetur vetëm veturën, me të cilën, ka lëvizur i dyshuari, dhe pasi ka kryer hetimet, e ka kthyer veturën në oborrin e shtëpisë së Sokol Halilit.

Familjarët e të ndjerës kanë treguar se viktima dhe dorasi kanë qenë të ndarë që pesë muaj. Motra e viktimës ka bërë të ditur se autoritetet kanë qenë të njoftuara për problemet e viktimës me bashkëshortin.

Gjykata Themelore e Ferizajt, nëpërmjet një njoftimi për media, ka konfirmuar se ka pasur urdhër mbrojtje ndaj 35-vjeçares, tashmë të ndjerë.

Në njoftim, thuhet se kërkesa për lëshimin e urdhrit mbrojtës ishte bërë me datë 08 shtator 2022.

Po ashtu, gjykata bënë të ditur se pas mbajtjes së seancës së shqyrtimit të kërkesës së urdhrit mbrojtës, me datë 13.09.2022 ka lëshuar aktvendimin për urdhër mbrojtje. me të cilën. ka aprovuar kërkesën për urdhër mbrojtje të palës së mbrojtur dhe palës përgjegjëse i ka shqiptuar masat mbrojtëse sipas nenit 5 dhe 6 të Ligjit për Mbrojtje nga dhuna në familje, në kohëzgjatje prej gjashtë muajve. duke filluar nga data 13.09.2022 deri më datë 13.03.2023.

Foto nga vendi i ngjarjes

“Ky aktvendim i është dorëzuar palëve dhe atë palës përgjegjëse, mbrojtësit të tij, palës së mbrojtur, mbrojtësit të viktimave, QPS –Lipjan si dhe Stacioni Policor në Lipjan, i cili është urdhëruar që ta bëjë zbatimin e vendimit të urdhrit mbrojtës”.

Krahas kësaj, Kallxo.com kishte zbuluar se i dyshuari kishte aktakuzë për kanosje më 10 gusht të këtij viti, në Gjykatën e Ferizajt.

“Me datë 23.09.2022, me aktgjykimin e evidentuar si: 2022:174052, i pandehuri S.H. është shpallur fajtor për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së dhe i është shqiptuar dënim me gjobë”, thuhet në njoftim.

Gjykata thekson se më 10 gusht 2022, Prokuroria Themelore në Ferizaj – Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzën e evidentuar si: PP.II.nr,1066/2022, me të cilin, ka akuzuar të pandehurin S.H., për veprën penale kanosja nga neni 181 paragrafi 4, lidhur me paragrafin 2 të KPRK-së, ndaj të dëmtuarës H.M.

Në një lidhje direkte në “Debat Plus” të mërkurën, kryetari i Lipjanit, Imrin Ahmeti ka thënë se gruaja shtatzënë, e cila u vra, ka qenë nga komuna e Shtimes.

Ai ka thënë se të gjitha organet që merren me raste të tilla, kanë qenë të informuara për rastin e gruas, e cila ishte në proces të divorcit nga burri i saj, e i cili dyshohet se me armë zjarri ia ka marrë jetën.

Ahmeti bëri të ditur se e ndjera pas ndarjes nga ai, jetonte vetëm me vajzën e axhës së saj.

Motra e gruas së vrarë, ka thënë se e ndjera ka qenë e kërcënuar edhe prej familjes së bashkëshortit të saj.

“Momentin që ka ardhur motra në shtëpi është ndjerë e kërcënuar prej tij dhe familjes së tij, e kanë lënë pa ngrënë bukë, e pa pi, të gjithat janë kanë bërë. Jemi bërë nganjëherë bashkë e gjithë familja, ai nuk e ka lënë të vijë te ne”, është shprehur ajo, drejtpërdrejt në “Debat Plus”.

“Gjatë martesës nuk kanë kaluar mirë, momentin që është martuar, në atë natë, nuk na është lajmëruar hiç, vetëm dikur në mbrëmje, na është dërguar mesazh nga burri i saj që është mirë mos u bëni merak, por nuk është lajmëruar kështu me zë, vetëm mesazh në telefon”, ka thënë tutje ajo.

Po ashtu, ajo ka thënë se në ditën kur ka shkuar për lindje në QKUK, aty i dyshuari ka tentuar të ketë kontakt me 35-vjeçaren, tashmë të ndjerë, por sipas saj, ai me gjithë tentimin nuk ka pasur mundësi të ketë kontakt, por e ka dërguar nënën dhe motrën e tij.

Ajo ka shtuar se nuk ka pasur kontakt me motrën e saj prej natës kur ajo ka qenë në spital.

Ndërkaq, mbrëmjen e së enjtes, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se është e gatshme të japë dorëheqje nëse vërtetohet se ka pasur përgjegjësi në mënyrë të drejtpërdrejt apo të tërthortë në rastin e vrasjes së shtatzënës 35-vjeçare në QKUK.

Pamje nga protesta

“Sa më përket mua, vetëm adresojeni se ku është përgjegjësia e drejtpërdrejt e ministres së Drejtësisë apo e tërthortë në këtë drejtim, dhe unë në jam në gjendje të jap dorëheqje”, ka deklaruar ajo.

Ndërkaq, në thirrjet “Dorëheqja nuk mjafton”, “Polici i keni duart me gjak”, kishte nisur protesta në Prishtinë të enjten, në lidhje me vrasjen e gruas shtatzënë.

Në protestë kanë marrë pjesë një numër i konsiderueshëm i qytetarëve, të cilët kanë bërë thirrje për dorëheqje të ndryshme nga institucionet e sigurisë.





Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika