Produktet e kafesë në Kosovë janë të sigurta për përdorim dhe operatorët e bizneseve ushqimore mund të vazhdojnë tregtimin e kafesë, rrjedhimisht qytetarët mund të konsumojnë produktet e kafesë.
Ky është përfundimi zyrtar në të cilin ka ardhur Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) pas analizave të bëra.
Në një njoftim për media AUV-ja thekson se para disa ditësh ka njoftuar opinionin se përmes Sistemit të Alarmimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë (RASFF), ka pranuar një njoftim lidhur me praninë e nivelit të lartë të akrilamidës në produktin kafe e bluar, me origjinë nga Kosova, të eksportuar në Republikën e Kroacisë, ku ishte përmendur brendi “Monaco”, prodhuar nga Devolli Corporation për treg kroat.
AUV thekson se në përputhje me Planin Vjetor të Inspektimit dhe parimin e vlerësimit të riskut ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore, përfshirë kontrolle dhe analiza laboratorike për të gjitha brendet e kafesë që përpunohen për konsum brenda vendit dhe për eksport nga Republika e Kosovës në vendet tjera.
“Sipas standardeve të sigurisë ushqimore, rezultatet e analizave në kafe kanë konfirmuar se nivelet e akrilamidës në të gjitha produktet e testuara janë nën kufirin maksimal të lejuar”, thuhet në njoftimin e AUV-së.
“Bazuar në këto rezultate, operatorët e bizneseve ushqimore mund të vazhdojnë tregtimin e kafesë. AUV do të vazhdojë monitorimin e vazhdueshëm me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit publik”, thuhet në njoftim.
