Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) e ka dënuar gjuhën akuzuese të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili në një intervistë televizive i quajti mediat dhe gazetarët “mercenarë medial”.
AGK ka theksuar se këto deklarata janë të papranueshme, të rrezikshme dhe mund të kërcënojnë sigurinë e gazetarëve.
Abdixhiku në një intervistë televizive mbrëmë ka folur prapë për “mercenarë medial” duke thënë se “shumë lehtë japin një shpifje, papërgjegjësi, vetëm se ju rritet atje llogaria bankare prej sponsorizuesve, kundërshtarëve të ndryshëm”.
“Këto pretendime të zotit Abdixhiku janë një sulm frontal kundër medias, lirisë së medias dhe shprehjes në Kosovë. Një gjuhë e tillë me kualifikime si “mercenarë” është e papërgjegjshme, e papranueshme, shumë e rrezikshme dhe mund të paraqesë problem edhe në cenimin e sigurisë fizike të gazetarëve. Është poçacërisht për keqardhje që këto deklarata të zotit Abdixhiku vijnë në kohën që ai është në opozitë, dhe me përkrahje prej 13 %”, thuhet në reagimin e AGK-së.
AGK-ja ka ftuar Abdixhikun të heqë dorë nga spekulimet dhe të kontribuojë për një ambient të lirë medial në Kosovë.