AKA u përjashtua nga ENQA për shkak të ndërhyrjeve politike, pse ndodhi rianëtarësimi?

Agjencia e Kosovës për Akreditim para tri ditësh është rianëtarësuar në ENQA, pasi në vitin 2017 ajo ishte përjashtuar për shkak të ndërhyrjeve politike. Një rianëtarësim të tillë njohësit e Arsimit po e vlerësojnë si sukses të madh, sepse do të ngritë cilësinë e arsimit vendor në vendet evropiane





Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) në vitin 2017 ishte përjashtuar nga ENQA për shkak të ndërhyrjeve politike. Ndërkaq, të hënën e 3 tetorit është bërë anëtare e asocuar e ENQA-s.

Njohësi i arsimit, Argjend Osmani, për Portalin Dukagjini ka thënë se shoqëria kosovare dhe qeveria duhet të jenë më të përgjegjshme dhe të shmangin shkeljet apo përplasjet e ndryshme, pasi këto kanë bërë që në të kaluarën AKA-ja të përjashtohet nga ENQA.

“Shoqëria kosovare, e në veçanti qeveria, megjithatë duhet të jetë më e përgjegjshme dhe të shmangë shkeljet e procedurave dhe përplasjet siç kanë ndodhur në të kaluarën kur edhe si pasojë AKA është përjashtuar nga ENQA”, ka thënë Osmani.

Argjend Osmani, njohës i Arsimit (Foto: KosovaPress)

Tutje, Osmani e quan rianëtarësimin e AKA-së hap shumë të rëndësishëm, për shkak se sipas tij siguron pjesëmarrje dhe mobilitet të studentëve tanë në hapësirën universitare evropiane.

Njashtu e të njëjtit mendim qëndron edhe ekspertja e arsimit, Bardha Qirezi.

Qirezi ka thënë se përjashtimi ka ndodhur për shkak të ndërhyrjeve politike, duke e shtuar këtu edhe faktin se AKA-ja nuk i kishte plotësuar të gjitha standardet e nevojshme për anëtarësim.

Ndërsa për vitin aktual ajo ka shpjeguar se AKA-ja është anëtarësuar në ENQA për shkak se ka plotësuar pjesën dy dhe tre të standardeve dhe udhëzimet të cilat sigurojnë cilësi më të mira arsimore.

Ekspertja e arsimit, Bardha Qirezi

Tutje, Qirezi për Portalin Dukagjini ka treguar se standardet të cilat nuk janë plotësuar krejtësisht janë, sigurimi i burimeve, sigurimi i cilësisë, realizimi i analizave tematike të vazhdueshme të cilat shërbejnë për zhvillim të arsimit të lartë dhe standarde të tjera, por jo shumë të rëndësishme.

Kështu, lidhur me këtë, Qirezi ka thënë se duhet angazhim që në shqyrtimin e radhës këto kritere të plotësohen substancialisht dhe arsimi në vend të rrisë cilësinë.

Ndërkaq sa i përket njohjes së diplomave nga vendet evropiane dhe mundësisë për tregun e punës, Qirezi ka potencuar se për këtë duhen plotësuar standardet e tjera si, pranimi, njohja, certifikimi dhe rekomandimi që institucionet të bashkëveprojnë mes vete, vetëm në këtë mënyrë mund të ketë njohje të diplomave në tregun evropian të punës.

Ajo për fund ka përgëzuar Agjencinë e Akreditimit të Kosovës dhe Ministrinë e Arsimit për punën e tyre të palodhshme, punë kjo e cila sipas saj ka mundësuar që AKA-ja të rianëtarësohet në ENQA.

“Anëtarësimi ka qenë lajm shumë i mirë, për të cilin e përgëzojmë Agjencinë për punën e saj dhe Ministrinë gjithashtu për angazhimin”, ka përfunduar Qirezi.

Lajmi për rianëtarësimin e AKA-së në ENQA ishte bërë i ditur nga ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci përmes një postimi në rrjetin social facebook.

Gjithashtu, e njëjta ka kritikuar qeveritë e kaluara duke thënë se kishte ndërhyrje politike, prandaj nuk ka ndodhur një akreditim i tillë.

“Tri vjet më parë, për shkak të ndërhyrjeve politikë të qeverisë PAN, Kosova ishte përjashtuar nga ENQA, tani tri vjet pas po ecim para edhe në këtë drejtim”, ka shkruar ministrja Nagavci.

Megjithatë, Nagavci ka shtuar faktin se ky rianëtarësim është hap shumë i rëndësishëm për arsimin në vend.

Naim Gashi, drejtor në këtë Agjenci ka treguar se të hënën ka pranuar një letër nga drejtoresha e Asociacionit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA), Anna Gover me të cilën u konfirmua se AKA është pranuar për statusin anëtar ‘affiliate’ në asociacionin evropian.

Kështu, Gashi ka theksuar se nga ajo ditë që është pranuar letra, AKA-ja mund të përdorë logon e ENQA-së në të gjitha vendimet dhe komunikimet e saj brenda dhe jashtë vendit.

Agjencia e Akreditimit të Kosovës e ka quajtur këtë anëtarësim si një garanci kredibile për cilësinë e arsimit të lartë.

E nga Agjencia e Akreditimit të Kosovës për Dukagjinin ka folur kryetarja e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, Hasnije Ilazi e cila ka thënë se anëtarësimi është një hap mjaft i rëndësishëm në sektorin e arsimit, pasi do të ngritet cilësia në arsim.

Hasnije Ilazi, kryetare e Këshillit Shtetëror të Cilësisë

Ilazi njëherësh është edhe profesoreshë dhe ka shtuar se institucionet e Kosovës duhet të jenë të barabarta me ato evropiane, pasi përfshirja në këtë rrjet do të ngritë cilësinë në arsim.

Njëjtë mendon edhe prorektori për zhvillim dhe cilësi në Universitetin e Prishtinës, Elton Bahtiri, i cili ka vlerësuar këtë rianëtarësim si hap të rëndësishëm, jo vetëm për Agjencinë e Akreditimit, por për gjithë sektorin e arsimit.

Elton Bahtiri, prorektor në Universitetin e Prishtinës

Vlen të theksohet se në vitin 2017 kur AKA-ja ishte përjashtuar nga ENQA, EdGuard që është organizatë e cila merret me monitorimin e sistemit të arsimit në Kosovë, kishte deklaruar se një përjashtim i tillë ka ndodhur pasi AKA-ja ka qenë e kapur me politikën që ishte në pushtet dhe grupet e interesit që ishin të ndërlidhura me politikën.





Shija e redaktorit

Vetëm në muajin shkurt mërgata ka dërguar 87.9 milionë euro

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, sipas kalendarit të publikimeve, ka prezantuar statistikat për institucionet e tjera financiare për muajin shkurt 2024, të remitancave...

Ndahen 8 milionë euro për 11 komuna

Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal(MAPL), Elbert Krasniqi, ka njoftuar se janë ndarë 8 milionë euro në 11 Komuna. Ministri Krasniqi, bashkë me kryetarët e...

Kosova një hap më afër anëtarësimit në Këshill të Evropës

Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka miratuar raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku rekomandohet që shteti ka përmbushur...

Të fundit nga rubrika