Kryeministrja e Itali-s, Giorgia Meloni, ka reaguar përmes një postimi në platformën X lidhur me aksionin e zhvilluar të shtunën nga forcat amerikane në Venezuela, ku u arrestua presidenti Nicolas Maduro dhe bashkëshortja e tij, nën akuza të shumta.
Në reagimin e saj, Meloni thekson se Italia nuk e ka njohur asnjëherë fitoren e vetëshpallur zgjedhore të Maduros, duke dënuar vazhdimisht praktikat represive të regjimit të tij. Ajo nënvizon se qëndrimi italian ka qenë në përputhje me atë të partnerëve kryesorë ndërkombëtarë.
“Kam ndjekur zhvillimet në Venezuelë që nga fazat e para. Italia, së bashku me partnerët kryesorë ndërkombëtarë, nuk e ka njohur kurrë fitoren e vetëshpallur zgjedhore të Maduros, duke dënuar aktet e represionit të regjimit dhe gjithmonë ka mbështetur aspiratën e popullit venezuelian për një tranzicion demokratik”, ka shkruar Meloni.
Kryeministrja italiane ka theksuar gjithashtu se, sipas qëndrimit historik të Italisë, një ndërhyrje ushtarake e jashtme nuk përbën zgjidhjen e duhur për t’i dhënë fund regjimeve totalitare. Megjithatë, ajo vlerëson si të ligjshme ndërhyrjet me karakter mbrojtës në rastet e kërcënimeve ndaj sigurisë kombëtare, përfshirë sulmet hibride dhe veprimtaritë e entiteteve shtetërore që, sipas saj, ushqejnë dhe favorizojnë trafikimin e drogës.
Në fund, Meloni bëri të ditur se qeveria italiane po ndjek me vëmendje të veçantë situatën e komunitetit italian në Venezuelë, duke theksuar se siguria e shtetasve italianë mbetet prioriteti absolut i Qeverisë së Italisë.
Ho seguito gli sviluppi in Venezuela fin dalle primissime evoluzioni.
L’Italia, assieme ai principali partner internazionali, non ha mai riconosciuto la auto-proclamata vittoria elettorale di Maduro, condannando gli atti di repressione del regime e ha sempre sostenuto…
— Giorgia Meloni (@GiorgiaMeloni) January 3, 2026