Analistët: Qeveria Kurti dështoi në vitin 2023, pati progres të limituar

Qeveria e Kosovës në vitin 2023 është vlerësuar nga analistët politikë për dështime në politikën e jashtme, ekonominë, dhe përfundimin e ligjeve në Kushtetuese. Ndërsa, sipas tyre, përparimet janë shënuar në marrjen nën kontroll të veriut dhe një përparim të kufizuar në dialogun me Serbinë

Qeveria e Kosovës, gjatë mbledhjes së 127-të.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë një vlerësim të vitit 2023, duke pohuar se ka pasur fusha ku do të dëshironte të kishte më shumë sukses. Megjithatë, analistët politikë kanë shprehur vlerësime të ndryshme në lidhje me “dështimet dhe përparimet” e kësaj qeverie në këtë vit.

Dritëro Arifi, një analist politik, ka vlerësuar disa dështime të Qeverisë Kurti në vitin 2023, duke theksuar se politika e jashtme, sektori i ekonomisë dhe përfundimi i disa ligjeve në Kushtetuese janë pjesë e sfidave të kësaj qeverie.

Arifi, gjithashtu, ka kritikuar vendosjen e sanksioneve nga Bashkimi Evropian, duke theksuar se Qeveria nuk ka arritur t’i heqë ato.

“Nëse mund të themi dështimet më të mëdha janë pikërisht në sektorin e ekonomisë që nuk kanë arritur ta ringjallin as shpresën, por as çështjet ku ekonomia e Kosovës përballet me sundim të dobët të ligjit, me ekonomi joformale. Dështim i radhës këtë vit janë edhe sanksionet apo masa e vendosura nga BE-ja që Qeveria nuk arriti në asnjë mënyrë që të paktën t’i heqë në këtë vit, po ashtu dështim është edhe reforma në drejtësi, sepse ende nuk e ka arritur nivelin e duhur të reformës, pra ka suksese shumë të limituara”, ka deklaruar ai, transmeton EO.

Në anën tjetër, Arifi ka vlerësuar se përparimi më i madh ka qenë marrja nën kontroll e veriut, megjithatë, edhe kjo ende nuk ka përfunduar. Ai, gjithashtu, ka kritikuar aprovimin e ligjeve jokushtetuese, shprehur dyshime për kapacitetin e qeverisë në hartimin e ligjeve dhe ka shprehur shqetësim për kontrollin e qeverisë në vend.

Arton Demhasaj, një analist tjetër politik, ka theksuar mungesën e përparimit në aspektin ekonomik, politik dhe politikën e jashtme.

Ai ka përmendur që politika e jashtme ka stagnuar dhe se ka pasur një numër të madh të ligjeve që janë shpallur antikushtetuese pas dërgimit në Gjykatën Kushtetuese.

“Jo vetëm në vitin 2023, por prej marrjes së mandatit të kësaj qeverie, nuk është që mund të shquhen për ndonjë lëvizje të madhe në aspektin politik, as në atë ekonomik e as në atë të politikave të jashtme. Politika e jashtme ka stagnuar në të gjitha aspektet, pra, nuk kemi asnjë njohje që ka arritë me siguru. Po ashtu, nëse flasim edhe për çështjen e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare nuk ka ndonjë lëvizje përpos një aplikim që e kemi bërë”, ka thënë ai.

Në lidhje me dialogun, Demhasaj ka vlerësuar një përparim, duke përmendur marrëveshjen e Brukselit dhe një konvertim të targave nga ana e serbëve në komunat veriore.

Megjithatë, ai ka kritikuar qëndrimin e qeverisë ndaj ligjeve dhe ka theksuar se shumica e tyre janë vlerësuar si antikushtetuese.

Artan Muhaxhiri, një analist tjetër, ka vlerësuar vitin 2023 si të vështirë për qytetarët e Kosovës, duke pohuar se nuk ka pasur zhvillime substanciale në aspektin ekonomik dhe politik.

“Viti 2023 ka qenë shumë i vështirë për qytetarët e Kosovës, sepse nuk ka pas ndonjë zhvillim substancial ekonomik dhe politik dhe kanë qenë në shpërputhje me tentimet të cilat janë bërë nga qeveria Kurti për përmirësim të shpejtë dhe fundamental të mirëqenies së qytetarëve. Çështja e dialogut e ka dominuar gjithë vitin dhe kryeministri Kurti ka harxhuar shumicën e energjisë së tij politike duke u marrë më tema direkte apo indirekte të procesit të dialogut”, është shprehur Muhaxhiri.

Ai, gjithashtu, ka theksuar se kryeministri Kurti ka përqendruar shumicën e energjisë së tij në dialog dhe për përfundimin e shumë ligjeve në Kushtetuese, ka shtuar se qasja e Qeverisë për këtë çështje më shumë ka qenë partiake.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës në këtë vit ka mbajtur 62 mbledhje me 564 vendime të marra e 78 projektligje të kaluara.

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika