Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, ka caktuar trupin gjykues të Apelit që do të shqyrtojë kërkesën e përbashkët të mbrojtjes së Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit për zgjatjen e afatit për paraqitjen e njoftimit për apel kundër aktgjykimit të shkallës së parë.
Sipas vendimit të publikuar nga Dhomat e Specializuara që e ka siguruar Dukagjini, në trupin gjykues të Apelit janë caktuar gjyqtarët Michèle Picard, Kai Ambos dhe Nina Jørgensen, njofton Dukagjini.
Trupi i Apelit do të shqyrtojë kërkesën për zgjatjen e afatit, si dhe të gjitha parashtresat e palëve që lidhen me njoftimin për apel kundër aktgjykimit të shkallës së parë.
Kujtojmë se më 16 shtator, Trupi Gjykues shpalli aktgjykimin ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke i shpallur fajtorë për katër pika të krimeve të luftës dhe duke i liruar nga gjashtë pika të krimeve kundër njerëzimit.
Thaçi u dënua me 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet, Selimi me 13 vjet, ndërsa Krasniqi me 25 vjet burgim.
Më 22 shtator, mbrojtja e Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit paraqiti bashkërisht kërkesën për zgjatjen e afatit për dorëzimin e njoftimit për apel.