Arben Fetoshi, drejtor i Institutit Octopus, në një intervistë në emisionin FIVE në RTV Dukagjini ka folur për Samitin e Komunitetit Politik Evropian të mbajtur në Jerevan, ku po merr pjesë edhe kryeministri i Kosova, Albin Kurti.
Fetoshi theksoi se ky samit ka një simbolikë të rëndësishme, duke qenë se zhvillohet në një vend që, sipas tij, po largohet nga ndikimi rus dhe po afrohet më shumë me Evropën.
“Në një model i cili gjithnjë e më tepër po konfirmohet si shkëputje nga orbita e influencës ruse në drejtim të përkatësisë më të madhe evropiane. Pra, Armenia simbolikisht këtë kuptim ka për samitin e këtij forumi të rëndësishëm të liderëve evropian dhe jo vetëm evropian, sepse kësaj radhe kishim edhe liderët e Kanadasë, e që normalisht fokusi kryesor tërheq vëmendjen në sfidat e sigurisë dhe në pavarësinë energjetike të Evropës nga Rusia si hallka më e rëndësishme e një qasje ndryshe ndaj Rusisë”, ka thënë ai.
Ai shtoi se ndikimi rus dhe përpjekjet për të ruajtur ndikimin në Evropë mbeten një nga sfidat kryesore për Bashkimi Evropian.
“Për gjatë gjithë viteve të agresionit rus ndaj Ukrainës është ndoshta sfida kryesore që ndërlidhet me kapacitetet e Rusisë për influencë edhe brenda Bashkimit Evropian, jo vetëm në zonën e periferisë për shkak se zonë e periferisë së BE-së është edhe Ballkani Perëndimor ku jemi edhe ne dhe në këtë kuptim fokusi edhe te Ballkani Perëndimor ishte jashtëzakonisht i rëndësishëm”, ka theksuar Fetoshi.