Arti dhe kultura janë letërnjoftim nacional

Selman Jusufi, aktori i mbi 200 roleve në teatër e film dhe që ka bërë regjinë e shfaqjeve që nga viti 1993, në një intervistë të rrallë për Dukagjinin, ka diskutuar për jetën e tij profesionale, mënyrën se si e sheh tani teatrin shqiptar, dhe se cilat shfaqje e cilët artistë, ai i vlerëson gjatë karrierës së tij në skenë

Selman Jusufi

Selman Jusufi, i cili ka studiuar Artin dramatik në Universitetin e Prishtinës, nga viti 1973 deri më 1985, ka qenë i angazhuar në Teatrin e Shkupit, ndërsa nga viti 1985 deri më 2015, në Teatrin e Kosovës në Prishtinë.

Ka realizuar dyqind role skenike dhe është laureat i shumë shpërblimeve për kreacione teatrore. Në vitin 1983, shpallet aktori më i mirë në Maqedoni, për rolin e Halil Garrisë dhe rolin e Vangut në dramën e Beqir Musliut dhe Eduard Bondit.

Në vitin 2015, Ministria e Kulturës së Kosovës e shpërblen me çmimin kombëtar për vepër jetësore në lëminë e Teatrit. Ndërkaq, në vitin 2017, shpallet aktori më i mirë i filmit (Best actor) në “The Europian Independent Film Festival” në Paris.

Ka bërë regjinë e shfaqjeve “Krushqit janë të ngrirë” të Ismail Kadaresë, Prishtinë 1993, “Burgu i hapur”, Prishtinë 1999, “Palimpsest”, Paris 2001, “Toka e Premtuar”, Mitrovicë 2003 dhe “Nirvana”, Prishtinë 2008.

Ai është marrë edhe me kritikë artistike dhe publicistikë, e, po ashtu, është autor i pesë librave.

Selman Jusufi

Dukagjini ka realizuar një intervistë me aktorin e shumë filmave dhe autorin Jusufi, i cili ka rrëfyer për mungesën e tij apo mosprezencën e tij në publik.

Z. Jusufi, ka kohë që nuk jeni prezent në jetën publike. Prej nga vjen kjo heshtje?

Ka kohë që sistemi i vlerave ka ndryshuar. Unë e kam përfunduar misionin tim në “dërrasat që quhen jetë” dhe nuk më duhet vëmendja e audiencës. Madje, publiku im nuk banon më këtu. Rri diku në mal i vetmuar!…

Pra, nuk dua të jem prezent në një “skenë” të tillë. Nuk jam pjesë e këtij bordeli dhe më duket vetja krejtësisht i huaj në këto rrethana kosovare.

Sepse edhe pas kaq vitesh lirie, procesi i akulturimit në Kosovë, vazhdon. Madje, ky akulturim tashmë ka hyrë në repertorin e të gjitha institucioneve kulturore dhe informative  që bëjnë jetën tonë. Profiterë të ndryshëm, të cilët u përshtatën të gjitha rrethanave politike dhe estabilishmenteve nëntokësore janë dekor i këtij shkëlqimi, klonimi, pastrimi të trurit dhe kujtesës. Me një fjalë, sindromi i inferioritetit vazhdon!

Cilët janë autorët dhe tipat krijuesish që përfaqësojnë dekadën e çlirimit dhe shtetndërtimit sipas jush?

Selman Jusufi

Dekadën e “çlirimit” e karakterizon tipi i autorit spekulant, epigon dhe fryma e inflacionit krijues. Natyrisht, mungesa e kriterit dhe verifikimit kritik për vlera të mirëfillta qëndron mu në institucionet shtetërore. Injoranca, në mungesë të ndërgjegjes krijuese, e analfabetizon këtë audiencë dhe brezat që vijnë nga kjo. Ky lloj hibrid krijimtarie mund të prodhojë vetëm terr e fodullëk aziatik.

Fenomeni i paaftësisë intelektuale shpreh shkallën e vlerës dhe të antivlerës sot dhe dje. Autorët që kanë ndërgjegje krijuese ngurrojnë të dalin para “publikut”, ku u konkurron pseudokrijimtaria, kiçi dhe spekulimi krijues. Aq më tepër kur nuk ekzistojnë fare politikat shtetërore të Projekteve kombëtare.

Teatrit kombëtar të Kosovës vetëm firma i qëndron në ballë, përndryshe kurrë nuk ka qenë më jokombëtar në historinë e tij. Këtij vendi i duhet sa më parë regjenerim, jo vetëm kulturor, por edhe politik.

Selman Jusufi

Për momentin ku është Teatri shqiptar si nocion? Dhe jo vetëm në Kosovë?

Aty ku është dhe aq sa është. Duket se është më shumë sesa ka populli shqiptar nevojë për të. Kriza permanente politike, mbase ka shkaktuar edhe krizën e vetëdijes. Krizën identitare, përkundër asaj që thotë Kadare, se krijuesi antik kishte kodin moral, mbi të filozofinë e shkruar dhe me të gjitha këto krijonte mbamendjen historike.

Ndërkaq, edhe pas rënies së dogmës komuniste, atdheun (letrar) të Kadaresë gazeta “Lë Monde” e cilëson si ato “Pamje”  nga viset e Makbethit dhe baladat gjermanike.

Më në fund, kudo në botë, kulturat pranohen vetëm me leje njohtimi nacional.

Cilën shfaqje teatrore e vlerësoni si arritja më e suksesshme e Teatrit tonë?

Janë dhjetë shfaqje antologjike të teatrit shqiptar, por tri janë monumentale: “Unë Halil Garria” nga Beqir Musliu në Teatrin e Shkupit, “Bregu i pikëllimit” nga Teki Dërvishi në Teatrin e Prishtinës, dhe “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” i Kadaresë në Tiranë. Këto shfaqje bëjnë historinë e Teatrit kombëtar.

Pse?

Sepse janë të shkruara nga tre dramaturgë të mëdhenj. Janë shfaqje kontenporane, të ndërtuara me gjuhë simbolizmi dhe shquhen nga një ekspresionizëm i jashtëzakonshëm. Trajtojnë fenomenin biblik të jetës vdekjes dhe lirisë. Merren me mitin dhe historinë nëntëqind vjeçare të popullit shqiptar.

Çfarë mund të thoni për filmin “Eho” dhe çmimin si aktori më i mirë në Festivalin Evropian të filmit më 2017 në Paris?

Është një film autorial i regjisorit nga shkolla e Berlinit, Dren Zherka dhe në kooproduksion gjermano-kosovar. Puna me të ka qenë e jashtëzakonshme dhe i jam mirënjohës për angazhimin.

A kemi ikona-artist dhe cilët aktorë do t’i veçoni gjatë karrierës suaj në skenë?

Janë një gjeneratë e shkëlqyeshme e aktorëve, të cilët karakterizohen për kreacionet e tyre. Në mesin e tyre janë: Shani Pallaska dhe Istref Begolli, me të cilët, kam pasur fatin të jem në skenë.

Selman Jusufi

Ndërsa, ikonat këtu nuk ekzistojnë. Sepse provinca nuk krijon ikona. Kjo ndodh vetëm në metropole. Kosova është provincë shpirtërore edhe e imja, por merreni me mend sikur Aleksandër Moisiu, Bekim Fehmiu, Shën Tereza dhe Shën Jeronimi, po të mbeteshin në vendlindje, ne kurrë nuk do të dëgjonim për ta!

Cila është përvoja juaj në serialin televiziv “Besa” të producentit anglez Tony Jordan, ku ju interpretoni një ndër rolet kryesore në dy sezonet e kaluara. “Besa” a do të ketë sezon të tretë?

Seriali “Besa” që për temë ka narkomafinë ballkanase, është një produksion i madh, me buxhet të madh dhe i standardeve botërore. Në të aktrojnë mbi dyqind aktorë, flasin në pesë gjuhë, por dominuese janë gjuha shqipe dhe ajo serbokroate.

Një përvojë të tillë gjatë punës sime në këtë serial, nuk e kam përjetuar asnjëherë më parë.

Sezona e tretë nis në pranverë dhe xhirimet do të ndodhin në Shqipëri dhe Itali.

Cilat janë disa nga angazhimet e reja që ju i prisni?

Në shtator e kisha në Tiranë premierën e filmit “Xixëllonjat e dimrit” të regjisorit Artur Gorishti (Tarkovski shqiptar), një film surrealist, i cili zgjat dy orë e gjysmë.

Në fund të këtij muaji, gjithashtu, e kam premierën e re në Podgoricë të filmit “Obraz”, “Nderi” të regjisorit Nikolla Vukqeviç, sipas skenarit të akademikut Zyhdi Hoxha, (iç), një dramë historike mbi familjen e Dedë Gjo Lulit dhe besën shqiptare.

Në shkurt nisi xhirimet në Shqipëri, në filmin e Andamion Muratajt: “I Zoti i shtëpisë”, ndërsa në muajin maj, sipas agjent-menxhert tim, më pret një casting për një film gjerman. Natyrisht, nëse kam shëndet dhe jetë!

Shija e redaktorit

Spanja kampione e Evropës për herë të katërt

Ka mbaruar super ndeshja mes Spanjës dhe Anglisë në kuadër të finales së Kampionatit Evropian 2024. Pas një loje fantastike, Spanja ka përmbyllur ndeshjen me...

Spanja në finale, mposht Francën

Kombëtarja e Spanjës ka arritur kualifikimin në finale të Euro 2024, pasi mposhti me rezultat 2:1 kombëtaren e Francës në gjysmëfinale. Në pjesën e dytë...

Ballkani triumfon në ndeshjen e parë kualifikuese në Ligën e...

Ballkani ka fituar 2-1 ndaj Santa Coloman në 1/8 e fazës kualifikuese në Ligën e Kampionëve. Ndeshja nisi me një ritëm të qetë, por që...

Të fundit nga rubrika