Kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), Avni Kastrati, ka bërë të ditur se të dhënat paraprake të regjistrimit të popullsisë priten të publikohen në fillimin e muajit korrik.
Por, Kastrati në konferencë për medie të hënën, ka theksuar se Kosova pritet t’i ketë rreth 1.6 milion banorë.
“ASK-ja ka kohë të publikojë të dhënat paraprake, preliminare, deri në fund të muajit gusht, ne do të mundohemi që të dhënat të jenë më herët dhe propozimi i parë që jemi dakorduar, pritet që të dhënat paraprake të publikohen në fillimin e muajit korrik. Por në bazë të ditëve të fundit të mbarimit të procesit, edhe shtesa që ka qenë, pritjet janë që Kosova t’i ketë rreth 1.6 milion banorë”, ka thënë Kastrati.
Ndërsa, Kastrati ka thënë se të dhënat finale të këtij procesi priten të publikohen mbas gjashtë muajve.
“Të dhënat finale duke u bazuar në praktikat e mëhershme, publikohen një vjet pas datës së regjistrimit por deri në 15 muaj. Tani planifikojmë t’i publikojmë mbas gjashtë muajve”, ka deklaruar tutje Kastrati.
Sipas Kastratit, pjesëmarrja e komuniteteve ka qenë masive, përveç komunitetit serb në katër komunat veriore, ku pjesëmarrja ka qenë vetëm pjesërisht dhe jo në mënyrë masive.
“Pjesëmarrësja e komuniteteve, në përgjithësi, shumica prej tyre kanë qenë të hapura dhe në favor të regjistrimit të popullsisë, andaj pjesëmarrja e tyre ka qenë masive e të gjitha komuniteteve përveç komunitetit serb në katër komunat e veriut, që pjesërisht ka marrë pjesë në regjistrim, por jo në mënyrë masive. Pra, të gjitha komunitetet kanë pjesë në regjistrim, përveç komunitetit serb në veri që kanë hezituar”, ka deklaruar ai.
Ndërsa, sipas tij, në përgjithësi numri i stafit direkt të përfshirë në proces kishte arritur të jetë mbi 5 mijë persona, por pa përfshirë Policinë e Kosovës.
Kreu i ASK-së, po ashtu, ka thënë se për herë të parë pas regjistrimit të popullsisë 2011, regjistruesit që dominuan në terren kanë qenë femra, përreth 60 për qind.
Ai ka theksuar se regjistrimi i popullsisë në Kosovë ka respektuar parimet standarde dhe konceptet ndërkombëtare në plotni, duke siguruar që të dhënat e Kosovës të jenë të krahasueshme në aspektin rajonal dhe global.
Gjithashtu, ai ka njoftuar se janë kodifikuar rreth 650 mijë objekte.
“Janë kodifikuar rreth 600 e 50 mijë objekte, është dashur një kod i veçantë sesi një objekt në Kosovë të jetë i kodifikuar, sepse ka qenë instrumenti kryesor për orientimin e regjistruesve dhe monitorimit në terren, pra një punë voluminoze është bërë në kodifikimin e të gjitha objekteve që janë të dukshëm në Kosovë”, ka deklaruar ai.
ASK-ja ka falënderuar të gjithë qytetarët për bashkëpunim me intervistuesit si dhe institucionet pjesëmarrëse që kanë qenë gjatë gjithë kohës në procesin e regjistrimit.