Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka evidentuar rritje të çmimeve të inputeve bujqësore krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, sipas publikimit të Indeksit të Çmimeve të Inputeve në Bujqësi për tremujorin e katërt (TM4) të vitit 2025.
Sipas ASK-së, indeksi i përgjithshëm i inputeve në bujqësi në tremujorin e katërt të vitit 2025 është rritur për 4.0 për qind krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2024. Konkretisht, Indeksi i Input 1, që përfshin mallrat dhe shërbimet aktualisht të konsumuara në bujqësi, ka shënuar rritje prej 4.3 për qind, ndërsa Indeksi i Input 2, i cili lidhet me mallrat dhe shërbimet që kontribuojnë në investimet bujqësore, është rritur për 3.7 për qind.
ASK bën të ditur se ky publikim bazohet në çmimet e inputeve bujqësore të grumbulluara në Kosovë, ndërsa mbledhja e të dhënave është realizuar në barnatore bujqësore, farmaci veterinare, kompani, tregje dhe vende të tjera ku këto inpute janë në dispozicion.
Produktet që përfshihen në llogaritjen e Indeksit të Çmimeve të Inputeve ndahen në dy grupe kryesore. Grupi i parë përfshin mallrat dhe shërbimet që aktualisht konsumohen në bujqësi, si farërat dhe materiali mbjellës, energjia dhe vajrat, plehrat dhe përmirësuesit e tokës, produktet për mbrojtjen e bimëve dhe pesticidet, shërbimet veterinare, ushqimi për kafshë, mirëmbajtja e pajisjeve dhe ndërtesave, si dhe mallra e shërbime të tjera.
Ndërkaq, grupi i dytë përfshin mallrat dhe shërbimet që lidhen me investimet në bujqësi, ku çmimet grumbullohen për makineri dhe pajisje të ndryshme, ndërtesa, si dhe investime të tjera, përfshirë ndërtesat jo-rezidente të fermave dhe punë të ndryshme që nuk lidhen drejtpërdrejt me përmirësimin e tokës.
Sipas ASK-së, këto të dhëna ofrojnë një pasqyrë të qartë mbi lëvizjet e çmimeve të inputeve bujqësore dhe ndikimin e tyre në sektorin e bujqësisë në vend./RTK