Avokati mbrojtës: Salih Mustafa i rrëzon me vendosmëri të gjitha akuzat

Avokati mbrojtës, Julius von Bone, në deklaratën e tij përfundimtare ka thënë se Salih Mustafa nuk ka kryer asnjëherë vrasje, s’ka ndaluar dhe maltretuar njerëz në kompleksin e Zllashit apo në ndonjë vend tjetër

Avokati mbrojtës i Salih Mustafës, Julius von Bone, ka deklaruar se ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk ka kryer asnjëherë ndonjë vrasje, nuk ka ndaluar dhe maltretuar njerëz në kompleksin e Zllashit apo në ndonjë vend tjetër.

Në deklaratën e tij përfundimtare, Bone ka thënë se Mustafa i rrëzon me vendosmëri të gjitha akuzat me të cilat po përballet në Gjykatën Speciale, në Hagë.

“Mustafa i rrëzon me vendosmëri të gjitha akuzat, ai nuk kishte absolutisht asnjë lloj njohurie për krimet të cilat pretendohen në aktakuzë, në periudhën nga data 1 deri më 19 prill 1999 Mustafa ndoshta mund të ketë qenë pak herë në Zllash, në kompleks, ai nuk ka ndaluar, nuk ka marrë në pyetje, nuk ka keqtrajtuar, nuk ka torturuar askënd asnjëherë në atë vend”, ka thënë avokati mbrojtës.

“Ai nuk ka urdhëruar askënd tjetër për të bërë një gjë të tillë, ai po ashtu nuk ka kontrolluar asnjë prej këtyre veprimeve të pretenduara që mund të jenë ndërmarrë nga të tjerë. Nuk ka asnjë provë që ai ka pasur dijeni se gjëra të tilla kanë ndodhur dhe ai vetë nuk ka parë me sytë e vet asgjë të tillë të ketë ndodhur. Zotëri Mustafa nuk ka vrarë asnjëherë askënd dhe nuk ka urdhëruar asnjëherë vrasjen e dikujt”, shtoi avokati, shkruan KP.

Sipas avokatit të Mustafës, nuk ka prova që Mustafa të ketë pasur ndonjë lidhje me ushtarët e UÇK-së, të cilët njihen me pseudonimet si ‘Tabuti, Bimi, Dardani, ose Afrimi’ lidhur me kryerjen e atyre krimeve, nëse këto krime janë kryer nga ndonjëri prej këtyre individëve ndonjëherë.

“Bimi e mohoi këtë vetë, të tjerët nuk janë gjetur asnjëherë apo nuk janë intervistuar asnjëherë, dhe nuk ka asnjë provë që këta persona në atë kohë, në kohën e aktakuzës kanë qenë të pranishëm në kompleks, ata madje as nuk janë identifikuar”, ka thënë ai.

Avokati i Salih Mustafës ka thënë se kompleksi i Zllashit është përdorur si një vend i sigurt për ushtarët dhe popullatën civile të zhvendosur nga zona të tjera.

Sipas tij, pretendimet që BIA e kishte përdorur një ndërtesë të caktuar për qëllimet e marrjes në pyetje apo për qëllimet e ndalimit janë gënjeshtra.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar që Salih Mustafa të dënohet me, gjithsej, 35 vjet burgim.

Michalczuk ka theksuar se nuk ka asnjë dyshim se krimet e kryera në këtë rast, jo vetëm që janë të rënda, por janë edhe tejet brutale.

“Rregulla 164 kërkon nga paneli të japë dënim të vetëm që të pasqyrojë tërësinë e sjelljes kriminale të të akuzuarit, varet nga paneli të dënojë të akuzuarin sipas dënimeve që parashikohen apo me dënim më të lartë se ai që paraqitet në lidhje me çdo pikë të veçantë. Për këtë arsye, ZPS kërkon t’í jepet dënim prej 35 vitesh burg”, ka thënë Prokurori Cezary Michalczuk, shkruan BetimipërDrejtësi.

Jack Smith, prokurori i Specializuar, ka kërkuar nga trupi gjykues që Salih Mustafës t’i shqiptohet dënim me burgim të gjatë.

Për këtë duhet marrë parasysh “realiteti i krimeve dhe efekti që kanë pasur në jetën e viktimave dhe familjeve të tyre”, ka thënë ai gjatë deklaratës përmbyllëse.

“Zyra ime ka kërkuar që ju të jepni një dënim të gjatë me burg të akuzuarit. Ju e dini që ne nuk e bëjmë këtë me lehtësi, por vetëm pas një shqyrtimi të thellë të të gjithë faktorëve të cilat do të merren në shqyrtim për caktimin e një dënimi të drejtë në një rast të tillë të rëndë. Realiteti i akuzave i krimeve të akuzuara duke përfshirë efektin shumë të madh që ato kanë pasur në jetën e viktimave dhe familjeve të tyre është një aspekt i rëndësishëm për t’u marrë parasysh”.

“Në këtë rast, roli i dyfishtë i të akuzuarit si komandant dhe pjesëmarrës përbën një faktor të madh rëndues për dënimi e tij. Si një autor i drejtpërdrejtë, Salih Mustafa siguroi që ata që ai kishte nën komandë t’i trajtonin viktimat me brutalitet dhe ashpërsi të veçantë”, ka thënë Prokurori i Specializuar.

Ai ka potencuar se kjo çështje gjyqësore ka të bëjë me viktimat dhe familjet e tyre që sipas tij, kanë vuajtur tërë jetën për shkak të Salih Mustafës. Po ashtu, shtoi se e njëjta ka të bëjë edhe me llogaridhënien duke konfirmuar sundimin e ligjit për të ardhmen.

“Për këto arsye dhe bazuar vetëm në prova dhe ligj ju kërkojmë që ta shpallni të akuzuarin fajtor për krimet e akuzuara dhe të jepni dënimin e rekomanduar, sepse kjo është rruga e drejtë dhe e përshtatshme për krimet e rënda që ai ka kryer”, ka thënë Prokurori i Specializuar.

Gjatë deklaratës përmbyllëse, Smith ka thënë se Salih Mustafa nuk ka bërë asnjë përpjekje që të shprehë keqardhje për viktimat.

Gjatë së martës së 13 shtatorit, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) do të paraqesë deklaratën përmbyllëse për Salih Mustafën. Ndërsa, aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor 2020.

“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave”, njofton Gjykata Speciale përmes një komunikate.

Tutje, në këtë komunikatë thuhet se “në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”.

Salih Mustafa në aktakuzën e konfirmuar akuzohet në kuadër të ndalimit arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jondërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt.

Shija e redaktorit

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Policia konfirmon arrestimin e Akil Gjakovës

Policia e Kosovës, ka arrestuar xhudistin Akil Gjakova, si të dyshuar për veprën penale dhunë në familje. Lajmin për Portalin Dukagjini e ka konfirmuar zëdhënësi...

Të fundit nga rubrika