Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, iu kundërpërgjigj deputetit të PDK-së, Përparim Gruda, duke mohuar pretendimet se seanca për buxhetin në Kuvendin e Kosovës është antikushtetuese.
Gjatë fjalimit në foltore, Bajqinovci lëshoi një video ku dëgjohet interpretimi i hartuesit të Kushtetutës, profesorit, Arsim Bajrami, dhe me një ton ironik tha se nuk e di kujt t’i besojë, Grudës apo Bajramit.
“Nuk e pata ndërmend ta marrë fjalën, pro pasi që doli deputeti i PDK-së dhe tha se është seanca antikushtetuese e kam një problem se a t’i besoj Arsim Bajramit e Përparim Grudës. Bashkëthemeluesit të PDK-së, hartuesit të Kushtetutës, profesorit të fakultetit juridik. Kam 30 sekonda se çka thotë Bajrami se a është seanca antikushtetuese seanca për buxhetin nëse nuk kemi Qeveri. Dua ta lëshoj me video se thonë me citu nuk bën se nuk është e vërtet”, ka thënë Bajqinovci.
Në videon e lëshuar, Bajrami shpjegon se në situata të tilla ku nuk ka qeveri të plotë, Kuvendi mund të mbajë seanca për të miratuar marrëveshje ndërkombëtare dhe buxhetin, duke ndihmuar në debllokimin e Kosovës për integrim evropian dhe zgjidhjen e çështjeve financiare, përfshirë pagat e punëtorëve të RTK-së.
“Atëherë së paku do të mbahet një mbledhje e Kuvendit të Kosovës ku do të votohej komplet pakoja e marrëveshjeve ndërkombëtare, do të debllokohej Kosova sa i përket integrimit evropian dhe do të gjendej një zgjidhje buxhetore, përfshirë këtu edhe gjendjen e punëtoreve të RTK-së. Por po e shihni që kemi një ampati politike dhe nuk kemi asnjë reflektim të përgjegjësisë së Parlamentit. Pasnesër duhet të shpërndahet(nuk kuptohet). Po të ketë një vullnet politik nesër do të mund të mbahen dy seanca. Seanca e parë ku konstatohet se ka dështuar zgjedhja e qeverisë dhe pastaj të lejohet një seancë, ku grupet parlamentare të takohen he të gjejnë modalitetit”, ka thënë Bajrami në videon e lëshuar nga Bajqinovci.
Bajqinovci i bëri thirrje gjithashtu deputetëve të opozitës që të marrin pjesë dhe të votojnë për buxhetin.
“Pra i kemi dy deklarata i një profesor dhe hartues i Kushtetutës që thotë se nuk është asgjë antikushtetuese dhe ju kisha lutur edhe opozitës që nga zyrat e Kuvendit të vijnë dhe të votojnë buxhetin”, ka shtuar Bajqinovci.