BE-ja i kërkon Bosnjës më shumë reforma për t’i nisur bisedimet për anëtarësim

Bashkimi Evropian (BE) i ka kërkuar Bosnjë e Hercegovinës të bëjë më shumë reforma në mënyrë që të mundë t’i fillojë bisedimet për anëtarësim në këtë union

Bashkimi Evropian (BE) i ka kërkuar Bosnjë e Hercegovinës të bëjë më shumë reforma në mënyrë që të mundë t’i fillojë bisedimet për anëtarësim në këtë union, tha të martën kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, Borjana Krishto.

Bosnja e Hercegovina e mori statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE në vitin 2022. Por, sipas vlerësimit të Komisionit Evropian, asaj i kanë mbetur edhe disa kritere për t’i përmbushur në mënyrë që të mundë të hapen bisedimet për anëtarësim.

Një delegacion i madh nga Bosnja e Hercegovina u takua të martën në Bruksel me komisionarin e BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Verhelyi.

Verhelyi tha se BE-ja “sheh një përkushtim për reformat në Bosnjë e Hercegovinë dhe avancim pozitiv”.

“Jam i bindur se Bosnja e Hercegovina mund të bëjë më shumë dhe më mirë, e në këtë drejtim po punon Këshilli i Ministrave [i BiH]. Po shohim përparim të madh në reforma, qeveritë e reja janë vendosur në të gjitha nivelet, shpejt po miratohen buxhetet dhe të gjitha partitë politike e kanë shprehur integrimin në BE si prioritet të tyre”, tha Verhelyi.

Ai e përmendi pranverën e vitit 2024 si afatin kur do të mundë të miratohej një vendim për nisjen e negociatave të anëtarësimit për Bosnjën.

Një numër i madh i përfaqësuesve politikë të entiteteve dhe të institucioneve të ndryshme nga Bosnja e Hercegovina qëndruan të martën në Bruksel, për të marrë pjesë në një forum të nivelit të lartë politik me BE-në, që ka për qëllim avancimin evropian të këtij vendi.

Ky takim u zhvillua pikërisht në kohën kur vendet anëtare janë duke diskutuar rreth mundësisë së vendimit me kusht për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnje e Hercegovinën. Sipas një drafti të përgatitur për miratim nga ministrat e BE-së, Bosnja e Hercegovina do të mundë të merrte një vendim për të nisur negociatat e anëtarësimit “kur të vlerësohet se janë përmbushur kriteret e nevojshme“.

Por, edhe ky formulim ka hasur në kundërshtime nga disa vende të BE-së dhe nuk do të jetë e lehtë për të ta sigurojë mbështetjen unanime që nevojitet për ta kaluar vendimin në Këshill.

Në takimin në Bruksel kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të entiteteve të ndryshme nga Bosnja e Hercegovina, që kanë dallime diametralisht të kundërta në qëndrimet e tyre politike.

Ministri i Jashtëm i Bosnjë e Hercegovinës, Elmedin Konakoviq, tha se vendi i tij nuk ka asnjë alternativë tjetër pos integrimit në BE.

“Dua t’ua rikujtoj të gjithëve në Bosnjë e Hercegovinë se ne në BE i eksportojmë rreth 75 për qind të mallrave që i eksportojmë në përgjithësi. Me rajonin kjo arrin në 94 për qind. Ne nuk kemi opsion tjetër, edhe pse disa mund të kenë simpati për ndonjë hapësirë tjetër gjeografike, ne fatin e kemi kah Brukseli“, tha Konakoviq.

Në takim në Bruksel mori pjesë edhe Millorad Dodik, presidenti i Republikës Sërpska, i cili vazhdon të kërcënojë me shkëputjen e këtij entiteti nga Bosnja e Hercegovina.

Por, pas takimeve në Bruksel, Dodiku nuk e përmendi këtë, ndërsa pretendoi se “shkeljet më të mëdha të Kushtetutës së Bosnjë e Hercegovina kryhen nga përfaqësuesi i lartë, Christian Schmidt.

Ndasitë politike në Bosnjë e Hercegovinë janë përmendur vazhdimisht nga Bashkimi Evropian si shkaktari kryesor i mungesës së suksesit në reforma, të cilat do ta bënin këtë shtet më funksional dhe në këtë mënyrë do t’i mundësonin një përparim me të shpejtë në procesin e integrimit në BE.

Bashkimi Evropian dhe NATO-ja kanë shprehur shqetësime edhe për ndikimin negativ të Rusisë në Bosnjë e Hercegovinë, i cili mund ta rrezikojë edhe situatën e sigurisë në këtë vend./REL

Shija e redaktorit

Për nder të 32-vjetorit të themelimit, shtëpia botuese “Dukagjini” dhuron...

E themeluar më 14 mars 1994, në një periudhë sfiduese për librin, arsimin dhe kulturën shqiptare në Kosovë, shtëpia botuese “Dukagjini” sot shënon 32-vjetorin...

Ekskluzive: Kosova mundëson riatdhesimin e shtetasve të Bosnjë-Hercegovinës nga Riadi...

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka organizuar riatdhesimin e shtetasve të Bosnjë dhe Hercegovinës me një fluturim nga Riadi drejt...

Dukagjini Resort dhe The Northern prezantohen në panairin më të...

Projekti Dukagjini Resort së bashku me The Northern do të marrin pjesë në MIPIM Cannes, panairin më të madh ndërkombëtar patundshmërisë në botë. Projekti do...

Të fundit nga rubrika