Bashkimi Evropian ka reaguar pas ceremonisë së varrimit të Ratko Mlladiqit, ish-komandantit të Ushtrisë së Republikës Srpska, i dënuar me burgim të përjetshëm për krime lufte, gjenocid dhe krime kundër njerëzimit.
Në një deklaratë të zëdhënësit të BE-së thuhet se konfliktet e armatosura në Ballkanin Perëndimor gjatë viteve 1990 ishin ndër momentet më të errëta të historisë së afërt të Evropës.
“Qëndrojmë në solidaritet me të gjitha viktimat, të mbijetuarit dhe familjet e tyre që vuajtën nga krimet e luftës në vendet e ish-Jugosllavisë”, thuhet në deklaratë.
BE-ja ka paralajmëruar se çdo glorifikim i kriminelëve të luftës, mohimi i gjenocidit dhe revizionizmi bien ndesh me vlerat themelore evropiane.
“Këto nuk kanë vend në BE apo në vendet kandidate për anëtarësim në BE”, thuhet në reagim.
Sipas BE-së, pajtimi dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore në Ballkanin Perëndimor mbeten thelbësore për ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët.
BE-ja thekson se Mlladiqi ishte një kriminel lufte i dënuar, i cili kishte kryer krime lufte, gjenocid dhe krime kundër njerëzimit. Ai vdiq derisa po vuante dënimin me burgim të përjetshëm për krime kundër njerëzimit dhe gjenocidin në Srebrenicë.
Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë e dënoi Mlladiqin me burgim të përjetshëm në vitin 2017, duke i cilësuar krimet e tij ndër më të rëndat të njohura ndaj njerëzimit.
BE-ja ka deklaruar gjithashtu se mbetet partnere e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në përpjekjet për të nxitur pajtimin dhe stabilitetin rajonal, si dhe për të gjetur dhe zbatuar zgjidhje përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse për mosmarrëveshjet rajonale dhe dypalëshe, përfshirë çështjet që lidhen me trashëgiminë e së kaluarës dhe që duhet të trajtohen në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.