“BE, ‘Tigër prej letre'”- krahasimi i Gërvallës, reagimet ndërkombëtare dhe ato nga opozita

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, të shtunën mori pjesë në Forumin e Dubrovnikut. Në këtë forum ajo ka thënë se Bashkimi Evropian (BE) pa ShBA-në dhe NATO-n është një “tigër prej letre”. Lidhur me këtë nuk kanë munguar reagimet ndërkombëtare dhe ato nga opozita

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla

Gjatë të shtunës, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, mori pjesë në Forumin e Dubrovnikut. Në këtë forum, ajo ka thënë se Bashkimi Evropian (BE) pa ShBA-në dhe NATO-n është një “tigër prej letre”.

Sipas saj, në aspektin e sigurisë, BE-ja është “e paaftë” dhe rrjedhimisht nuk mund të ofrojë paqe dhe siguri në Evropë.

“Jemi rreshtuar përreth 90 për qind me Perëndimin kur bëhet fjalë për Ukrainën. Të tjerët që i kemi përreth po e ndihmojnë Rusinë në agresionin e saj për pothuajse dy vjet tashmë pa sanksione nga Bashkimi Evropian. Pyetja kyçe është për sigurinë në Ballkanin Perëndimor është se a mund dhe a është Bashkimi Evropian unioni që mund të garantojë siguri dhe paqe në Evropë? Vlerësimi im është që BE-ja nuk mundet. Sepse nuk është në gjendje dhe e aftë për të ofruar siguri. Arsyet janë të dukshme: nuk ka vullnet politik, ka shumë mospajtim në union dhe pa SHBA-në dhe NATO-n, BE-ja është një ‘Paper Tiger’ (tigër prej letre) në aspektin e sigurisë. Për shkak se ju e dini këtë, kërkoni paqe në vazhdimësi. Mirëpo, kjo është e rrezikshme. Paqësimi i BE-së me Rusinë ka bërë që Putini të përshkallëzojë”, ka thënë ajo.

Kryediplomjata ka zgjedhur idiomën e vjetër kineze “tigër prej letre” që ta godasë BE-në. Kjo frazë u popullarizua nga ish-diktatori komunist, Mao Ce Duni, i cili në vitin 1956 e cilësoi imperialzimin amerikan si “tigër prej letre”, duke thënë se “imperializmi dhe të gjithë reaksionarët janë tigra prej letre”.

I shpejtë ishte reagimi i emisarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, për këtë “krahasim”, duke thënë se gjithçka pozitive që ka ndodhur në Ballkan është falë bashkëpunim të BE-së dhe ShBA-së.

“Politikat tona në Ballkan kanë qenë konsistente që nga të ’90 dhe pres që të mbesin kështu. Politika tonë mbështet në dy shtylla: njëra është interesimi evropian, dhe më vjen keq që duhet të dalloj nga kolegia ime kosovare, por gjithçka pozitive që ka ndodhur në Ballkan, ka qenë kombinim i bashkëpunimit të BE-së dhe ShBA-së. Dhe, kështu integrimi është aspirata më e madhe e rajonit… çdo vend që i është bashkuar BE-së është bërë më demokrat, më i qëndrueshëm dhe më prosperues”, ka thënë Escobar.

Escobar i ka ndarë vendet e Ballkanit në dy grupe: në ato që janë në NATO dhe kontribuuese në stabilitetin rajon dhe grupi i dytë, janë shtetet që kanë ngecur në kapërcimin e sfidave të veta.

“Isha optimist se mundësia fantastike ekonomike do të na mundësojë t’i zgjidhim çështjet politike. Fatkeqësisht vetëm gjysma është e vërtetë. Rajoni është ndarë në dy shirita, njëri me shtetet në NATO që janë shumë më stabile, kontribuuese në stabilitetin rajonal dhe të vendosura në rrugën drejt integrimit evropian dhe shtetet tjera që po konsumojnë vëmendjen dhe burimet e të tjerëve në rajon teksa ngecin në kapërcimin e sfidave të veta. Dallimet kyçe janë që shtetet që janë në NATO dhe që kanë pasur zhvillimet më të mëdha janë ato që kanë tejkaluar sfidat e rivaliteteve etnike. Dhe, ata që vazhdojnë të kenë lidership që beson se populizmi, nacionalizmi e rivalitetet etnike janë rrugët përpara. Shpresoj të shohim të dyja, zgjerimin evropian, dialogun dhe angazhimin e fuqishëm amerikan që t’i ndihmojmë tri shtetet të lëvizin dhe të kthehen në rrugën që duhet të jenë, në përputhje me BE-në dhe fqinjët e tyre që po bëjnë shumë më mirë se ato”, ka thënë Escobar.

Më pas pati reagim edhe nga opozita, si ai i zëdhënëses së LDK-së, Sibel Halimi.

Me anë të një postimi, Halimi vlerësoi se Gërvalla është “e zhytur në pikëpamje iluzive të një bote paralele, mori përgjigje të merituar nga emisarët Lajçak e Escobar”.

“Përderisa Kosova po përjeton ditët e zymta nën sanksionet e BE-së, çohet një ministre nga Kosova, që për fat të keq të shtetit të ri – qëlloi të mbajë postin e kryediplomates – dhe i kërkon llogari BE-së për sigurinë. Thuajse blloku i vendeve evropiane i detyrohet personalisht zonjës Gërvalla-Schwarz!?”, ka shkruar Halimi.

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka thënë se ishte e paimagjinueshme që Kosova të shfaqet në konferenca ndërkombetare “si kundërshtare e Perëndimit, duke e zëvendësuar Serbinë dhe autokracitë e Evropës Lindore në këtë rol!”.

“Ishte e paimagjinueshme që Kosova të shfaqet në konferenca ndërkombetare si kundërshtare e Perëndimit, duke e zëvendësuar Serbinë dhe autokracitë e Evropës Lindore në këtë rol! Ka ndodhur një ndërrim i roleve: Kosova tash është kundërshtare dhe Serbia shihet si partnere, sikurse ndodhi sot në Dubrovnik! Logjika e diplomacisë së çajtoreve e sheh sekretarin Blinken si naiv dhe BE-në si tigër prej letre!”, ka shkruar Hoxhaj.

Shija e redaktorit

Lansohet platforma e-Komuna, Kurti: Drejt një qeverisjeje digjitale me fokus...

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka organizuar të premten ceremoninë e lansimit të shërbimeve të e-Komuna, e cila është pjesë e platformës shtetërore...

ASK: Në Kosovë s’ka rënie të madhe të numrit të...

Procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë përfundon këtë të premte, pas fillimit të tij më 5 prill, rezultatet preliminare të të cilit pritet...

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Të fundit nga rubrika