Bedri Hamza, i cili pritet të jetë kryetari i ri i PDK-së, ka filluar fjalimin e tij para delegatëve në Konventën e 12-të të PDK-së.
Hamza e ka filluar fjalimin e tij duke i falënderuar aktivistët dhe anëtarësinë e PDK-së për punën, durimin dhe qëndrueshmërinë në kohë të vështira.
“Sot është një prej atyre ditëve kur shpirti i PDK-së flet më shumë se çdo fjalë. Dhe unë, para jush, ndjej një peshë të madhe: peshën e përgjegjësisë. Përgjegjësinë ndaj sakrificës suaj, ndaj çdo ditë pune, çdo orë mundi e çdo sakrifice që keni bërë për partinë dhe vendin tonë. Ndjej përgjegjësi ndaj rrugës sonë të përbashkët, ndaj historisë që e kemi shkruar me punë e përkushtim dhe ndaj të ardhmes që po na pret. Ju falënderoj secilin prej jush, aktivistë të degëve, rininë e PDK-së dhe të gjitha strukturat, për punën, durimin dhe qëndrueshmërinë në kohë të vështira. Ju keni qenë gjithmonë motori i PDK-së. Pa ju, asnjë sfidë nuk do të ishte përballuar. Pa ju, asnjë fitore nuk do të ishte arritur”, u ka thënë Hamza, strukturave dhe delegatëve të PDK-së.
Ai ka thënë se si parti i kanë mbijetuar çdo goditjeje për një arsye të madhe.
“A e dini pse?”, i ka pyetur Hamza të pranishmit.
“Sepse, PDK është ndërtuar mbi sakrificë kombëtare dhe jo mbi interesa personale. Sepse, PDK ka lindur në përballje, në qëndresë, në sakrificë. Sepse, në ADN-në e saj ka gjurmët e lirisë, ka idealin e rezistencës dhe ka frymën e UÇK-së”, ka thënë Hamza.
Bedri Hamza përmend Thaçin, Veselin e Krasniqin: Ata e bënë Kosovën shtet
Në këtë ditë të rëndësishme për PDK-në, Hamza i ka përmendur edhe liderët historikë të kësaj partie, të cilët janë në përfundim të procesit gjyqësor në Hagë.
“Le t’i nderojmë liderët tanë historikë, të cilët me vizion, guxim e sakrificë e bënë Kosovën shtet të pavarur e sovran. Hashim Thaçin, nënshkruesin e marrëveshjes së Rambujesë, shpallësin e pavarësisë, kryeministrin dhe presidentin që e afirmoi Kosovën ndërkombëtarisht. Kadri Veselin, heroin e heshtur, çlirimtarin e madh dhe kryetarin që e modernizoi partinë. Jakup Krasniqin, politikanin e urtë dhe zërin e pathyeshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të shtetit tonë. Sakrifica e tyre dhe e shumë të tjerëve është themeli mbi të cilin ne qëndrojmë sot”, ka thënë Hamza.
Ai i ka falënderuar edhe kryetarët paraprakë, Enver Hoxhajn dhe Memli Krasniqin.
“Faleminderit edhe miqve të mi, Enverit dhe Memlit, për punën e tyre të pandalshme dhe me shumë përkushtim për partinë”, ka thënë Hamza.
Dorëheqja e Memli Krasniqit miratohet me shumicë votash në Konventën e PDK-së