Bedri Hamza është zgjedhur kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), në Konventën e 12-të të kësaj partie, me një shumicë pothuajse absolute votash.
Sipas raportimit të gazetarit të RTV Dukagjini, Liridon Llozani nga salla ku po mbahet konventa, vetëm pak vota kundër u shënuan gjatë procesit, por ato nuk ndikuan në rezultatin përfundimtar.
Ai i ka falënderuar delegatët dhe bashkëpartiakët e tij për besimin, mbështetjen dhe drejtimin e ri që i dhanë PDK-së.
“Sot më dhatë një përgjegjësi të madhe, një nder të jashtëzakonshëm dhe një detyrë që e pranoj me nder dhe përkushtim të plotë. Falë punës, sakrificës dhe besimit tuaj, PDK-ja vazhdon të jetë shtëpia jonë e përbashkët”, ka thënë Bedri Hamza, pas votimit të tij si kryetar i ri i PDK-së.
Ai ka thënë se Kosova tani ka nevojë për PDK-në e bashkuar dhe me vizion të qartë.
“Si kryetar i ri, premtoj se do ta hapim partinë tonë për secilin qytetar që dëshiron të kontribuojë. Do t’i forcojmë strukturat tona lokale dhe qendrore. Do të përfshijmë më shumë të rinj në vendimmarrje dhe aktivitete. Do ta ndërtojmë frymën e bashkëpunimit dhe të përgjegjësisë që Kosovës i duhet. Ne do të ecim vetëm përpara, me përgjegjësi, me maturi dhe me zotimet që do t’i mbajmë deri në fund. Rruga përpara kërkon guxim e vendosmëri. Dhe ne e kemi!”, ka thënë Hamza.
Ai i ka falënderuar anëtarësinë dhe strukturat e PDK-së për angazhimin dhe përkushtimin e tyre për Kosovën.
“Do t’i jap familjes sime politike gjithçka që mundem, ashtu siç ajo më dha gjithçka mua. Vazhdojmë së bashku, pa u ndalur, drejt fitoreve të reja. Faleminderit delegatë. Faleminderit PDK”, ka përfunduar Hamza.
Hamza, kandidati i vetëm zyrtar në garë, mori mbështetjen e delegatëve pas dorëheqjes së Memli Krasniqit, duke marrë kështu drejtimin e PDK-së në një moment të rëndësishëm politik për partinë dhe vendin.
Me zgjedhjen e tij, PDK nis një kapitull të ri nën udhëheqjen e Bedri Hamzës.
