Berishaj: Raportimi nga mediat sllovene është shpifje, s’kam pushkë për mediat kosovare

Gjatë intervistës ambasadori Martin Berishaj ka mohuar çdo lidhje me skandalin për të cilin kishin raportuar mediat sllovene se “ai ka pranuar 600 mijë euro nga kompania GEN”. Por, Berishaj e ka pranuar që ka qenë këshilltar i GEN deri në vitin 2019

Ambasadori i Kosovës në Zagreb, Martin Berishaj





Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, gjatë fjalës së tij në Komisionin Hetimor Parlamentar, ka folur për “aferën” që sipas mediave sllovene, Berishaj ishte bërë pjesë e një skeme, ku parat e  dërguara nga një kompani serbe, transferoheshin te një kompani tjetër malazeze, pronar i së cilës është ambasadori Berishaj.

Ndonëse nuk e quan “aferë”, ai e ka shpalosur qëndrimin e tij mbi këtë rast, teksa ka theksuar se të njëjtën medie e ka dërguar në gjyq për shpifje.

“Ka qenë një prononcim i një portali që ka peshën e vet. Nuk jam marrë me problemin e peshës së tyre, jam marrë me problemin i cili ishte një ditë para zgjedhjeve në Republikën e  Sllovenisë. Unë kam studiuar atje dhe kam punuar gjatë kohë, njihem me krerët e shtetit. Ka dalë një lajm që ma kanë kumtuar mua, ishin gjëra koti që lidheshin me shpifjen e një portali. S’jam marrë me atë se i biri i kujt është ai që e ka shkruar atë tekst”, ka thënë Berishaj.

“Unë siç kam propozuar e kam vendosur në gjyqin e qarkut në Lublanë për shpifje, atë portal televiziv i cili ka shpifur, sepse liria dhe e drejta e shtypit nuk nënkupton lirinë që të flasë kush çka i bie ndër mend, por një të vërtetë të argumentuar dhe nëse ajo e vërtetë nuk argumentohet gjithmonë ekziston padia. Padinë e kam bërë, është në procedurë”.

Ndonëse sipas tij në mediat kroate nuk është bërë aq bujë sa në Kosovë, megjithatë ai thotë se mediat e kanë të drejtën e tyre të shkruajnë, por sipas tij do të ishte mirë që t’i argumentojnë ato.

“Unë nuk kam pushkë për mediat kosovare. E kanë të drejtën të shkruajnë, por mirë është ta argumentojnë. Ky është qëndrimi im. Nuk e quaj aferë”, ka thënë ai.

Kur pyetet se a është drejtor i kompanisë në MB Consulting në Podgoricë dhe a është aksionar në kompaninë “Myloja L.L.C.”, e regjistruar në Kosovë me dy ortakë sllovenë, Berishaj ka thënë se nuk është aksionar në “Myloja L.L.C”.

“MB Consulting është një firmë të cilën e kam formuar unë në vitin 2017 në Mal të Zi dhe nuk funksionon që nga viti 2020, ajo i ka kryer të gjitha obligimet, nuk ka hyrje-dalje, është në mbyllje dhe nuk rezulton si ndërmarrje e cila qarkullon. Nuk është mbyllur fizikisht, sepse procedura në Mal të Zi është e tillë dhe mund të them të vërtetën se unë kur jam bërë ambasador as nuk më ka rënë ndërmend të merrem me atë, mund të dihen dhe do të dalin në internet dhe do të shihen se a ka bazë që nga viti 2022. Ndërsa, për pyetjen e dytë jo”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, ai është pyetur edhe për marrëdhëniet me kompaninë GENI në Serbi.

“Dua të jem shumë i qartë, GENI nuk ka asnjë lidhje, ajo është një firmë e cila i ka 25 vende të botës, 13 bursa ndërkombëtare të shitblerjes, e njoh shumë mirë, është “pure”, është plotësisht në pronën sllovene, 100 për qind në pronën sllovene. Unë kam qenë aty si këshilltar, dhe unë kam dhënë këshilla politike, Geni është e regjistruar në ZRRE në vitin 2009, dhe bën shitblerje, të cilat bëhen në formë elektronike dhe bëhen në mënyrë transparente. Prandaj nga viti 2019 dhe 2020 unë më nuk kam folur me ta”, ka thënë ai.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka pyetur nëse Berishaj është takuar apo ka komunikuar me kryeministrin Albin Kurti, gjatë krizës energjetike në Kosovë, për t’i kërkuar ndihmë në kontakte me kompanitë e tij.

Por, Berishaj i ka mohuar duke thënë “të gjitha komunikimet të cilat mbahen me Kryeministri, me kryetar të Parlamentit, me Ministri të Punëve të Jashtme janë në mënyrë protokollare, janë të shkruara ashtu siç lypen, por as me gojë nuk kam folur për këtë çështje”.

Ndryshe, sipas mediumit slloven, thuhet se ato mjete financiare i dërgoheshin një politikani slloven para se të përfundonin në një kompani tjetër në Itali.

Këto transfere parash kanë çuar deri te hetimi i politikanit slloven Golob.

Pagesat nga dega e kompanisë energjetike serbe GEN-I, të cilat ekzekutoheshin në kompaninë e Berishajt, “MB Consulting”, bëheshin në emër të konsultës, me përshkrimin se janë pagesa për këshillime profesionale.

Skandali financiar, në të cilin është përfshirë Berishaj, kap shumën e rreth 600 mijë eurove, të cilat ai i tërhiqte nga llogaria e “kompanisë së tij fiktive” dhe fizikisht ia dorëzonte politikanit slloven.

Tërheqja e parave nga ambasadori Berishaj, sipas mediave sllovene, ishte bërë nga dy llogari.

“197 mijë euro i ka tërhequr nga llogaria personale, ndërsa pjesën tjetër, 320 mijë, i ka tërhequr nga një llogari tjetër”.

Berishaj në zgjedhjet e fundit në Kosovë kishte mbështetur Lëvizjen Vetëvendosje, dhe pas fitores së kësaj të fundit, ai është emëruar ambasador në Zagreb.





Shija e redaktorit

Voton Bujar Osmani, kandidat për president i Maqedonisë Veriore

Kandidati për president i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka votuar. Në një deklaratë para medieve, Osmani inkurajoi qytetarët të dalin në numër sa më...

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Të fundit nga rubrika