Biden kërkon edhe një mandat presidencial

Presidenti i ShBA-së, Joe Biden ka bërë të ditur se do të garojë edhe për një mandat në krye të Shtëpisë së Bardhë

Joe Biden, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, njoftoi se do të garojë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.

Ai këtë njoftim e bëri përmes një videoje promovuese.

Në videon prej tre minutash, Biden, presidenti i 46-të i SHBA-së, tha se të drejtat e abortit, mbrojtja e demokracisë, të drejtat e votimit dhe siguria sociale do të jenë çështjet më kryesore gjatë garës presidenciale të vitit 2024.

Ai tha se votuesit do të përballen me zgjedhjen mes asaj nëse gjenerata e re do të ketë “më shumë apo më pak liri”dhe “më shumë apo më pak të drejta”.

“Çdo gjeneratë e amerikanëve është përballur me një moment kur janë dashur të mbrojnë demokracinë, të ngrihen për të drejtat e tyre personale, të ngrihen për të drejtat e votimit dhe të drejtat civile. Ky është momenti ynë”, tha Biden, shkruan REL.

Për dallim nga slogani i fushatës zgjedhore të vitit 2020, kur Biden tha se amerikanët ishin “në betejë për shpirtin” e kombit, slogani për zgjedhjet e vitit 2024 thotë: “Le ta çojmë punën deri në fund”.

Nëse rizgjidhet, Biden do të ishte 86-vjeçar në fund të mandatit të dytë presidencial. Ai pritet të përballet me një garë të lehtë brenda partisë së tij, pasi nuk ka rivalë seriozë në mesin e Partisë Demokratike. Megjithatë, ai ka një detyrë të vështirë për të vazhduar që të mbajë mandatin presidencial në një shtet të ndarë.

“Liria, liria personale është thelbësore për ne amerikanët. Nuk ka asgjë më të rëndësishme, asgjë më të shenjtë”, tha Biden në video-adresim.

Biden e përshkroi Partinë Republikane si “ekstremiste”, që sipas tij po tenton të heqë qasjen në të drejtën për abort, në sigurinë sociale, të kufizojë të drejtat e votimit dhe të ndalojë librat me të cilët ata nuk pajtohen.

“Në mbarë vendin, ekstremistët MAGA [mbështetësit e ish-presidentit amerikan, Donald Trump] janë rreshtuar për të na i hequr liritë”, tha Biden.

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, më herët ka shpallur kandidaturën e tij për garën presidenciale. Trump kishte humbur garën zgjedhore ndaj Bidenit më 2020.

Në dy vjetët e para të mandatit të tij presidencial, Biden u mor me luftimin e pandemisë së koronavirusit dhe shtyrjes përpara të legjislacioneve, sikurse ato të infrastrukturës dhe duke promovuar prodhimin e teknologjisë së lartë dhe vendosjen e masave për klimën.

Kush ka shpallur kandidaturën për president deri më tani?

Përveç Bidenit, në Partinë Demokratike deri më tani kandidaturën për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 e kanë shpallur edhe dy të tjerë.

Marianne Williamson, shkrimtare, ka shpallur për herë të dytë garën për zgjedhjet presidenciale.

Edhe demokrati tjetër, Robert F. Kennedy Jr. – nipi i ish-presidentit amerikan, John F.Kennedy – ka hyrë në garën presidenciale.

Në Partinë Republikane, përveç Trumpit, kandidaturën e kanë shpallur edhe tre politikanë të tjerë.

Nikki Haley, ish-guvernatore e Karolinës së Jugut dhe ambasadore e ShBA-së në OKB gjatë presidencës Trump, ka shpallur kandidaturën për zgjedhjet e vitit 2024.

Ngjashëm kanë vepruar edhe multimilioneri Vivek Ramaswamy dhe ish-guvernatori i Arknsasit, Asa Hutchinson.

Në Partinë Republikane pritet që garës për president t’i bashkohen edhe ish-nënpresidenti amerikan, Mike Pence, guvernatori i Floridës, Ron DeSantis, dhe senatori, Tim Scott.

Shija e redaktorit

Voton Bujar Osmani, kandidat për president i Maqedonisë Veriore

Kandidati për president i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka votuar. Në një deklaratë para medieve, Osmani inkurajoi qytetarët të dalin në numër sa më...

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Të fundit nga rubrika