Biden thellon marrëdhëniet e sigurisë me Kenian

Shtetet e Bashkuara do të emërojnë Kenian si aleatin e tyre të parë strategjik, jo anëtar të NATO-s, në Afrikën Nën Sahariane

Foto: AP

Shtetet e Bashkuara do të emërojnë Kenian si aleatin e tyre të parë strategjik, jo anëtar të NATO-s, në Afrikën Nën Sahariane, njoftoi Shtëpia e Bardhë gjatës vizitë shtetërore të Presidentit të Kenias, William Ruto në Uashington.

Ky hap i rëndësishëm strategjik sinjalizon fillim e bashkëpunimit të Shteteve të Bashkuara me Afrikën Lindore në fushën e sigurisë, ndërkohë që forcat amerikane po përgatiten të largohen nga Nigeri, duke lënë pas një vakuum sigurie, të cilin po e mbushin forcat ruse.

Përcaktimi aleat strategjik u jep shteteve që nuk janë anëtare të NATO-s qasje në përparësitë ushtarake dhe financiare që u takojnë anëtarëve të aleancës, por pa qenë pjesë e traktateve të përbashkëta të mbrojtjes që e mbajnë NATO-n të zotuar ndaj sigurisë së anëtarëve të saj. Një zyrtar i lartë i administratës u tha gazetarëve të mërkurën se presidenti Biden do të njoftojë Kongresin për vendimin e tij, i cili hyn në fuqi pas 30 ditësh.

Sipas zyrtarit, ky hap synon të “avancojë dhe të zyrtarizojë faktin që Kenia është tashmë një partner i yni global”.

Gjatë ditës, presidentët Ruto dhe Biden do të diskutojnë për detajet e planit përmes të cilit Kenia planifikon të dërgojë 1,000 oficerë sigurie në Haiti, një shtet në Karaibe i zhytur në kaos. Nisma, të cilën Shtetet e Bashkuara janë zotuar ta mbështesin me 300 milionë dollarë, po përballet me sfida të shumta politike dhe ligjore. Realizimi i misionit është shtyrë për shkak se bandat e armatosura haitiane morën nën kontroll vendin ndërkohë që udhëheqësi i Haitit, Ariel Henry, ndodhej për vizitë zyrtare në Kenia, në muajin mars. Zoti Henry dha dorëheqjen nga posti i tij në prill dhe nuk është kthyer më në ishull.

Zyrtari amerikan tha se Presidenti Ruto do të takojë Sekretarin e Mbrojtjes Lloyd Austin dhe Sekretarin e Shtetit Antony Blinken për të biseduar rreth misionit, por nuk premtoi përparim.

“Bëhet fjalë për një fushë të vazhdueshme bashkëpunimi”, sipas zyrtarit.

Shtëpia e Bardhë të enjten po ashtu shpalosi edhe një seri marrëveshjesh tjera që lidhen me sigurinë, përfshirë mundësi për stërvitje ushtarake, ndihmë për menaxhimin e refugjatëve, investime amerikane në sektorin e sigurisë së Kenias, bashkëpunim në fushën e kundër-terrorizmit, përfshirë një rritje të bashkëpunimit në ndarjen e informacionit dhe marrëveshjen për 16 helikopterë dhe 150 makina të blinduara.

Nga bombat në bonbone

Uashingtoni është zotuar se do të japë miliona dollarë për një sërë përpjekjesh që Shtetet e Bashkuara i konsiderojnë qenësore për zhvillimin. Ato përfshijnë fusha si demokracia, shëndetësia, arsimi, artet dhe kultura, menaxhim të çështjeve klimatike, tregti, teknologji dhe për një çështje që zoti Ruto tha është përparësi e tij: ndihmë për të ristrukturuar borxhin e rëndë që shtetet afrikane i kanë Kinës, huadhënësit më madh në botë.

Por lista e gjatë e zotimeve amerikane nuk përmban projekte për rrugë, ura dhe hekurudha, për të cilat udhëheqësit afrikanë thonë se janë të nevojshme për të përballuar rritjen e madhe të popullsisë. Këto shtete i janë drejtuar Nismës kineze Një Rrugë një Brez, që e rendit kontinentin afrikan si përfituesin më të madh të projektit masiv global me vlerë prej 1 trilionë dollarësh.

Sipas analistëve, në një kohë kur demokracitë e reja të Afrikës kanë filluar të zhvillohen gati një shekull pas daljes nga kolonializmi qëndrimi i Afrikës është që në një botë të karakterizuar nga gara mes shteteve më të fuqishme, ato të jenë diku në mes.

“Shumë zyrtarë amerikanë e konsiderojnë këtë garë ndikimi ndërmjet fuqive të mëdha ku fitorja për njerën është humbje për palën tjetër”, thotë analisti Cameron Hudson nga Programi për Afrikën i Qendrës për Studime Strategjike Ndërkombëtare. “Shtetet afrikane nuk e shohin si të tillë. Ata thonë se mund të përfitojnë nga një partneritet me Kinën në çështjet tregtare, me Rusinë në aspektin e sigurisë dhe me Shtetet e Bashkuara për zhvillimin dhe nuk shohin ndonjë problem me këtë qasje”.

“Dhe përderisa Uashingtoni nuk pajtohet me faktin që këto shtete të kenë partneritet me vendet e tjera, Uashingtoni do ta ketë shumë të vështirë të skicojë një strategji për rrugën përpara në shumë nga këto shtete”, shton ai.

Kjo është hera e parë që një udhëheqës afrikan po zhvillon një vizitë shtetërore në Shtëpinë e Bardhë në 16 vitet e fundit. /VoA

Shija e redaktorit

Nga sot shqiptarët udhëtojnë pa viza drejt Azerbajxhanit

Nga dita e sotme qytetarët e Shqipërisë me pasaporta të rregullta mund të udhëtojnë pa viza drejt Azerbajxhanit. Ambasadori i Azerbajxhanit në Shqipëri, Anar Huseynov...

Tre oficerë të FSK-së diplomojnë në Kolegjin CGSC të ushtrisë...

Oficerët e Forcës së Sigurisë së Kosovës(FSK), majorët Alban Bunjaku, Agron Murati dhe Alban Bujupi, pas studimeve njëvjeçare, diplomuan me sukses të lartë në...

Peja dhe Ulqini nënshkruajnë marrëveshjen e binjakëzimit si qytete

Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri ka pasur një mysafir të veçantë në zyrën e tij të shtunën. Ai priti me nderime kryetarin e Ulqinit, Genc...

Të fundit nga rubrika