Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka reaguar ndaj caktimit të vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit për nesër duke e cilësuar këtë vendim si “shkelje të hapur dhe cenim të drejtpërdrejtë të rendit kushtetues”.
Sipas tij, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ka pasur obligim që vazhdimin ta thërriste gjatë ditës së sotme, në një kohë që do të mundësonte edhe përfundimin e seancës brenda afatit kushtetues, deri në orën 23:59, njofton Dukagjini.
Cakolli, mes tjerash, ka propozuar që menjëherë pas mesnatës, të paktën dhjetë deputetë t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për ta kontestuar vendimin për caktimin e seancës pas afatit dhe mosveprimet e datave 6 dhe 7 gusht.
“Ky vendim dhe e gjithë kjo sjellje përbëjnë shkelje procedurale, shkelje kushtetuese dhe moszbatim të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Prandaj, menjëherë pas mesnatës, së paku dhjetë deputetë duhet t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, ta kontestojnë vendimin për caktimin e seancës pas afatit dhe mosveprimet e 6 dhe 7 gushtit, si dhe të kërkojnë masë të përkohshme për pezullimin e seancës së nesërme para orës 11:00”, ka shkruar Cakolli.
Nesër në ora 11:00 pritet vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit
