Cakolli: Vendimi i PZAP-së rikthen standardin ligjor dhe mbron integritetin e zgjedhjeve

Eugen Cakolli, KDI

Vendimi i fundit i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për mënyrën e organizimit të votimit jashtë Kosovës ka shënuar një pikë kthese të rëndësishme për procesin zgjedhor të 28 dhjetorit. Kështu vlerëson hulumtuesi i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Eugen Cakolli, i cili në një reagim në Facebook theksoi se ky vendim nuk përbën një korrigjim teknik, por një rikthim të standardit ligjor dhe të rregullsisë procedurale.

Sipas Cakollit, vendimi i PZAP-së pritet të konfirmohet edhe nga Gjykata Supreme, nëse rasti procedohet më tej, dhe kjo do të mbyllë çdo dilemë lidhur me mënyrën e votimit të diasporës.

“Vendimi i fundit i PZAP-së nuk është vetëm një korrigjim teknik i KQZ-së. Është një pikë kthese e rëndësishme për integritetin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit. Ky vendim rivendos një standard të qartë ligjor dhe, duke besuar që do të konfirmohet edhe nga Gjykata Supreme nëse dërgohet si rast, mbyll çdo dilemë për mënyrën e organizimit të votimit jashtë Kosovës.

Por po aq e rëndësishme është që PZAP-ja i ndaloi përpjekjet për krijimin e një situate të paqenë, për ta paraqitur diasporën si të “penguar” nga votimi. Në fakt, as PZAP-ja, as parashtruesit e ankesës dhe askush tjetër nuk e ka “ndaluar diasporën”.
Thjesht, nuk u lejua shkelja të ligjit në emër të narrativave politike dhe “kauzave” elektorale, si dhe u neutralizua një lojë që rrezikon ta deformojë debatin publik rreth diasporës.
Ironia më e madhe është se ata që kontribuan maksimalisht që data e zgjedhjeve të jetë 28 dhjetori – pikërisht me arsyetimin se “diaspora do të jetë këtu” – tani po thonë se as përfaqësitë diplomatike nuk mjaftojnë. Tash kërkuan qendra shtesë, kryesisht në hapësira private, në restaurante e në ambiente fetare… jo sepse janë të nevojshme, por sepse ndihmojnë narrativën.
Për më tepër, as në zgjedhjet e 9 shkurtit, që ishin të rregullta dhe me afate dukshëm më të gjata, pothuajse asnjë qendër jashtë vendit nuk e arriti kapacitetin maksimal të votuesve që mund të regjistroheshin. Pra, nuk ka pasur kërkesë që i tejkalon kapacitetet ekzistuese.
Prandaj, sot është një ditë e mirë për demokracinë dhe integritetin zgjedhor në Kosovë. Edhe nëse ditët në vijim do të mund të dëgjojmë sërish se “dikush ua paska ndaluar diasporës votimin”, faktet janë të thjeshta, por jashtëzakonisht kokëforta. Mjafton të lexohet vendimi i PZAP-së, dhe kuptohet menjëherë se kjo është një tezë e zbrazët dhe strategji e vjetër për mobilizim elektoral.
Diaspora nuk duhet të bjerë pre e diskurseve përçarëse. Ajo do të votojë, ashtu siç e përcakton ligji. Kjo është mënyra më e sigurt që vota e çdo qytetari jashtë vendit të ketë vlerë dhe legjitimitet të plotë”, ka shkruar Cakolli.

Shija e redaktorit

Shkolla “Ismail Qemali” anëtarësohet në UNESCO Education Charter Club

Shkolla fillore e mesme e ulët “Ismail Qemali” në Prishtinë ka marrë konfirmimin zyrtar për themelimin e “Ismail Qemali UNESCO Education Charter Club”, duke...

“Dita e Forcës”, kazermat e FSK-së të hapura për qytetarët

Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës, me rastin e Ditës së Forcës, sot duke filluar nga ora 09:00 deri në ora...

Enise Zijade, vajza tjetër e argjendtë e Kosovës

Xhudistja kosovare Enise Zijade ka shkëlqyer sot në Podgoricë, duke u renditur e dyta dhe duke siguruar medaljen e argjendtë. Ajo nisi garën me një...

Të fundit nga rubrika